PDIU përshëndet propozimin e Berishës për dhënien e shtetësisë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vlerëson propozimin e kryeministrit Berisha për një ligj që u jep shtetësinë shqiptare të gjithë bashkëkombasve tanë, pavarësisht se ku ndodhen; një propozim i bërë tre vjet më parë, nga PDIU. Përmes një deklarate për mediat, PDIU thekson se ky propozim, në gjykimin tonë është një hap drejt bashkimit kombëtar dhe do të gjejë mbështetjen e fuqishme të deputetëve të PDIU-së.“Ne mendojmë se ka ardhur koha që lëvizja për bashkim kombëtar, të kalojë fazën folklorike dhe të institucionalizohet. Nismat ligjore dhe aktet politike drejt kësaj aspirate kombëtare, duhet të jenë të uniformuara të vazhdueshme dhe pjesë e një projekti të mirëstudiuar për mbarëkombëtar”thuhet në deklaratën e PDIU.Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e radhës në Vlorë për të nderuar 100-vjetorin e krijimit të qeverisë së parë shqiptare me në krye Ismail Qemalin. Nga qyteti i Vlorës, kryeministri Berisha njoftoi nismën për marrjen e shtetësisë shqiptare pa kushte për çdo shqiptar që dëshiron.