PS jo kundër emrit të Llallës, vendimi i grupit: Do të abstenojmë në seancë

Adriatik Llalla nuk do të mund të shohë të përsëritur skenën e 2008 kur në detyrën e kreut të ILDKP ai mori votat e deputetëve të opozitës. Grupi parlamentar socialist ka vendosur të abstenojë në votimin për dekretin e Presidentit të Republikës, për ta zgjedhur Adriatik Llallën në krye të organit të akuzës.Deputeti socialist Taulant Balla argumentoi abstenimin me kundërshtinë e procesit mbi bazën e të cilit Lllalla merr detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i mëshuar faktit se për PS mandati i Prokurores aktuale Ina Rama nuk ka përfunduar ende.PS, tha Taulant Balla, nuk e kundërshton kandidaturën e Llallës, i cili me kohë do të tregojë nëse është në lartësinë e kësaj detyre, e ndoshta guri i provës do të jetë zbardhja e vrasjes së katër protestuesve në 21 janar 2011.“Grupi i PS nuk e paragjykon kandidaturën e propozuar për zëvendësimin e kryeprokurores në detyrë, duke ia lënë kohës të provojë se sa zoti Llalla do të jetë në lartësinë e sfidës së hapur për vendosjen e drejtësisë ë vend duke filluar nga ndëshkimi i përgjegjësve për vrasjet e 21 janarit në rrugën e betejës me kulturën e pandëshkueshmërisë. Duke qenë se në parim kundër procedurës por jo kundër kandidaturës grupi i PS vendosi të abstenojë” theksoi Balla.Të hënën Presidenti i Republikës ,Bujar Nishani, dekretoi Adriatik Llallën si Prokuror të Përgjithshëm pavarësisht debatit të hapur për kohën kur mbaron mandati i Kryeprokurores aktuale Ina Rama.