Autoriteti si anti-dhunë dhe nevoja për shprehi të reja
Do të nevojitej një manual i psikanalizës politike për të shpjeguar deklaratën e ministrit të Jashtëm grek rreth dinjitetit dhe integritetit të kërcënuar, sipas tij, prej Sali Berishës. E bërë në vitin 2012 prej përfaqësuesit të një shteti që, për të shpëtuar ç’të mundë nga dinjiteti, ka pranuar të nxjerrë në ankand integritetin përmes shitjes së dhjetëra ishujve, deklarata, si përmbajtje, mund të interpretohet vetëm brenda sferës së nënvetëdijes. Madje, fakti që zemërimi i zotit ministër të Jashtëm të Greqisë e ka zanafillën tek një referencë historike e vitit të largët 1912 (e asgjë më shumë), artikuluar prej kryeministrit të Shqipërisë, të heq edhe më të voglin dyshim rreth karakterit neurotik të reagimit. Sidoqoftë ka një sens që, reagimet për nacionalizmin të vijnë nga një vend si Greqia mike, që është një njohëse shumë e mirë e fushës. Debati që vetë ka frymëzuar është krejt pa objekt por, megjithatë mjafton eksperienca e saj e larmishme në çështjet e nacionalizmave për t’ia pranuar reputacionin.Ajo çfarë nuk mund të kapërdihet në gjithë këtë psikohistori të lëtyrtë ballkanike është përfshirja e zejtarëve shqiptarë të “antinacionalizmit”. Janë identikë si Greqia mike në zejtarinë e tyre “antinacionaliste”, që do të thotë, nuk kanë objekt. Por në ndryshim nga fqinji ynë, i cili e shpik nacionalizmin e Berishës, për shkak të defekteve në vetëdije, këta zejtarë pa objekt, e shpikin për shkak të defekteve në ndërgjegje. Në ndërgjegjen politike.Por, çfarë tha Berisha që të provokonte kaq shumë shkumën irracionale të Greqisë mike dhe pasionin “antinacionalist” (lexo antiberishist) të këtyre zejtarëve? E konspektuar me seriozitet, patetika festive (dhe irrituese) e Sali Berishës përmblidhej pak a shumë në tri fjali kyç: “ndërgjegja jonë historike deri në Prevezë”; “shqiptarët nuk do të jenë qytetarë të dorës së dytë”; “bashkimi kombëtar në Europë”. Greqia mike, për shkak të problemeve që ka me vetëdijen, e ka të përligjur që pas secilës fjali të shikojë nacionalizëm, irredentizëm, shovinizëm, irrealizëm, antihistori, gënjeshtra e të tjera me radhë. Çështja është se, në cilën prej këtyre tri fjalive kyç të Berishës, zejtarët “antinacionalistë” nuk gjejnë veten, prandaj dhe e denoncojnë. Shpirtrat në paqe, por i marrim me radhë!E para: a është Preveza pjesë e ndërgjegjes së tyre historike? Mundet edhe të mos jetë, por historia, si fakt, nuk fshihet me gomë. Nuk është një optional. Mund të jetë e tillë vetëm si interpretim. Berisha nuk rivendikoi asnjë pëllëmbë tokë greke. Ai lexoi vetëm historinë dhe kaq. Atëherë, ku është nacionalizmi këtu?E dyta: a mund të mohojnë zejtarët “antinacionalistë” se, intonacioni albanofob, veçanërisht këto dy dekada, na ka shurdhuar veshët dhe shpirtrat? Mundet që ata nuk e kanë dëgjuar, por kujtesa është aty. Shqiptarët gjithashtu. Kanë paguar shtrenjtë jo vetëm prej defekteve të tyre, por edhe prej racizmit të të tjerëve. A është nacionaliste vallë të mos pranosh të paguash prej këtij të fundit?E treta: nëse sipas zejtarëve ideja e bashkimit është nacionalizëm, ata si “antinacionalistë” për çfarë ideje janë? Mundet që të jenë për të qenë të ndarë, por kjo nuk është një arsye që idenë tjetër ta klasifikojnë si nacionaliste. Aq më pak kur, në asnjë rresht Berisha nuk insinuoi për të shkallmuar rregullin ndërkombëtar dhe injoruar partnerët. “Europa është destinacioni i bashkimit, – tha”. Ky është Berisha nacionalist që frymëzoi zejtarët “antinacionalistë”?Ka shumë arsye për ta sulmuar Sali Berishën. Por nacionalizmi nuk është njëri prej tyre. Madje, ka shumë argumente për ta sulmuar për të kundërtën. Është heshtja e tij emblematike për kufirin detar me Greqinë; është indiferenca e tij për gazetarët që poshtërohen si të ishin delinkuentë nga policët grekë; është mospërfillja e tij ndaj provokacioneve shovene që banditë politikë grekë bëjnë brenda territorit shqiptar. Këto po që janë argumente reale për “luftë” kundër tij. Mirëpo, kjo nuk është luftë për zejtarët “antinacionalistë”. Ndërgjegja e tyre, njësoj si vetëdija e miqve tanë grekë, është me defekte të rënda. Ngaqë nuk e kanë me “nacionalizmin armiqësor” të Berishës, por vetëm me Berishën si armik politik. Në këtë kuptim, nacionalizmi i tij ishte thjesht nevoja e një motivi më shumë për ta luftuar si armik. Shkurt e shkoqur, nuk ishte nacionalizmi i Berishës ai që lindi antinacionalizmin e zejtarëve tanë, por ishte “antinacionalizmi” i tyre i cili, që të përdorej kundër Berishës, duhej të shpikte nacionalizmin e tij.Burimi