Noka garanton Suedinë: Kemi marrë çdo masë për ndalimin e fenomenit të azilkërkimit
Ministri i Brendshëm Flamur Noka, gjatë takimit me ministrin e Migracionit të Mbretërisë së SuedisëTobias Billstrom, që u zhvillua në Stokholm, deklaroi se institucioni që ai drejton ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe se është i gatshëm të kapërcejë çdo pengesë për të ndalur fenomenin e azilkërkimit të shtetasve shqiptarë në çdo vend të zonës Shengen.Në qendër të axhendës së takimit, gjatë vizitës njëditore të punës në Suedi, ishte angazhimi i plotë i Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë shqiptare, lidhur me masat e marra për t'i dhënë një zgjidhje përfundimtare problematikës që ka krijuar kërkesa për azil, i një numri të kufizuar shtetasish shqiptarë, në Mbretërinë e Suedisë, në bashkëpunim të ngushtë me palën sedeze.Ministri suedez i Migracionit, Billstrom e falënderoi ministrin e Brendshëm shqiptar, Noka për angazhimin serioz të institucionit që ai drejton dhe vlerësoi masat e menjëhershme që ndërmori ministria e Brendshme e Shqipërisë për të frenuar këtë fenomen.Duke pohuar faktin se në raport me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, Shqipëria ka numrin më të ulët të azilkërkuesve në Suedi, z. Billstrom u shpreh se do të ishte më e mira që ky fenomen të ndalet plotësisht. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, pasi bëri një rezyme të situatës lidhur me këtë fenomen, masave të marra, por edhe atyre që po merren në vijimësi, e garantoi kolegun suedez, se edhe pse ky fenomen nuk është në përmasa shqetësuese, nuk është toleruar dhe nuk do të tolerohet në asnjë moment."Ministria e Brendshme e Shqipërisë është e vendosur që të eleminojë fenomenin e azilkërkimit, duke kapërcyer çdo pengesë, me qëllim ruajtjen e marrëdhënieve korrekte me Bashkimin Europian, në respektim maksimal të angazhimeve dhe detyrimeve që sjell procesi i liberalizmit të vizave. Ne do të përdorim të gjitha instrumentat ligjorë për të ndëshkuar këdo që tenton të nxisë azilkërkimin apo ta aplikojë dhe do t'i përballim me forcën e ligjit. Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të rendit publik në Shqipëri kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të kapur dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata drejtues vendorë, të organizatave jofitimprurëse apo edhe çdo individ, që abuzojnë, spekulojnë apo edhe nxisin për qëllime përfitimi kërkesën për azilkërkim si në Suedi, por edhe në çdo vend të BE-së. Tashmë, tre drejtues vendorë dhe një drejtues OJF-je janë çuar para drejtësisë, pasi u kapën në shkelje dhe abuzim të detyrës, duke pajisur me dokumenta joligjorë, por edhe të falsifikuar shtetas shqiptarë, të cilët më pas, kërkuan azil në Suedi apo edhe në Belgjikë. Paralelisht, bazuar në legjislacionin shqiptar masa kufizuese dhe ndëshkuese do të vijojnë të ndërmerren edhe ndaj çdo individi që ka tentuar në mënyrë dhe rrugë të paligjshme dhe të paautorizuar të qëndrojë në çdo vend të BE-së", theksoi, ndër të tjera, gjatë takimit ministri Noka, duke nënvizuar bashkëpunimin e shkëlqyer me përfaqësinë diplomatike suedeze nëTiranë dhe iniciativat e marra prej saj në këtë kuadër. Z. Noka garantoi kolegun suedez se paralelisht me masat ligjore ndëshkuese, do të vijojë puna për ndërgjegjësimin dhe sqarimin e plotë të çdo qytetari shqiptar, për të mos rënë pre e spekulantëve me besimin se do të mund të përfitojnë azil, si në Suedi ashtu edhe në vendet e tjera të BE-së.Ministri suedez i Migracionit, Tobias Billstrom, shprehu vlerësimin maksimal për Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, lidhur me përkushtimin dhe gatishmërinë e saj të plotë për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi."Ne kemi vlerësuar gjithmonë përpjekjet serioze të Shqipërisë për të respektuar të gjitha detyrimet e saj, si para procesit të liberalizmit të vizave, ashtu dhe në periudhën pas tij, dhe do të vazhdojmë ta mbështesim atë pa kushte në rrugën drejt integrimit të plotë në BE", nënvizoi z. Billstrom, duke çmuar gatishmërinë e palës shqiptare për nënshkrimin e protokollit të ripranimit për çdo shtetas shqiptar që shkel rregullat, tejkalon afatet kohore të qëndrimit të paautorizuar në Suedi.Të dy zyrtarët e lartë duke foluar për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve shprehën bindjen se marrëdhëniet bilaterale do të vijojnë edhe në të ardhmen, duke u forcuar gjithnjë e më shumë.