Rama pret Moore: Defiçiti demokratik dhe pandëshkueshmëria, probleme serioze për vendin

Kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka pritur sot në një takim Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Gjatë takimit, Rama pasi shprehu kënaqësinë për momentin e rëndësishëm kur po zhvillohet kjo vizitë, ditën e 90-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA, duke falenderuar njëkohësisht për kontributin e çmuar për konsolidimin e shtetit dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.Kryetari i PS përforcoi angazhimin e Partisë Socialiste për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian duke nënvizuar se vendi përballet me probleme serioze për shkak të defiçitit demokratik, moszbatimit të ligjit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor. Gjithashtu, Rama vuri në dukje domosdoshmërinë e një lufte institucionale për çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe në mënyrë të veçantë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si themeli i një demokracie funksionale.Duke iu referuar vizitës së Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore konfirmoi dhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar me të gjitha mundësitë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për ecurinë e axhendës evropiane të Shqipërisë duke e ndjekur nga afër gjithë procesin.