Ura e Vjetër e Bunës shitet për skrap

Ura e Vjetër e Bunës, tashmë jo më në funksionin e saj të dikurshëm, pas ndërtimit të urës së re, ka nisur të jetë pjesë e grabitjeve për skrap në qytetin e Shkodrës.Një fenomen i tillë vihet re edhe nëpërmjet pamjeve ku dallohen qartë lidhjet ndërmjet dy krahëve të urës së vjetër të Bunës të cilat kanë ngelur të pakta, në tërë gjatësinë e kësaj relike tashmë historike të qytetit. Megjithatë kjo nuk është hera e parë, që ura e vjetër e Bunës është pre e grabitjeve për skrap.Dy vite me parë do të ishte “Ora News” ajo e cila ngriti shqetësimin për këte ngjarje të shëmtuar që i ofrohej Shkodrës, ndërkohë që tashmë kjo situatë rikthehet sërish me një pamje akoma më të zymtë.Fakti i grabitjeve për skrap pohohet edhe nga qytetarët të cilët jashtë kamerave pohojnë se persona të ndryshëm të paidentifikuar, shfrytëzojnë orët e errësirës gjatë mbrëmjes,që të çmontojnë strukturat e hekurit dhe nyjet lidhëse të krahëve të urës së vjetër të Bunës në Shkodër.Të gjendur përballë këtij fakti të shëmtuar ndaj këtij monumenti të rëndësishëm në Shkodër askush nuk reagon për të nxjerrë në dritë fajtorët e kësaj ngjarje të shëmtuar, por më shumë se kushdo tjetër duket se është neglizhenca e pushtetit vendor për të ruajtur këtë relike të çmuar të vetë historisë së qytetit të Shkodrës.