Reforma territoriale, Opozita: Nuk e pranojmë nëse nuk bëhet me konsensus

Partia Demokratike ne qendrim te unifikuar me aleatët, i ka bere thirrje mazhorances qe proçesin per reformen administrative territoriale te perdorin dhe per ringritjen e konsensusit, qe sipas kryetarit Lulzim Basha, u rrezua me akt normativ te jashteligjshëm.“Propozimi i maxhorancës nuk është vetëm i pamjaftueshëm, por është një zhbërje e standardeve të vendosura tashmë prej 12 vitesh në Shqipëri siç janë standardet e vendosura gjatë reformës elektorale të vitit 2002, ku palët u angazhuan për konsensus të plotë në vendimmarrje në komision dhe në aulën e Kuvendit. Ndaj në këtë kuptim, rivendosja e konsensusit kërkon aplikimin e të njëjtit standard, të një precedenti pozitiv të jetës parlamentare. Konsensus të plotë dhe gjithpërfshirës për çdo vendimmarrje në çdo komision bipartizan për këtë çështje dhe konsensus të plotë, pra votë me konsensus, për produktin final të kësaj reforme që siç e thashë është gjithëpërfshirëse, e thellë, ka efekte të drejtpërdrejta për cilësinë e jetës së qytetarëve, për decentralizimin, për autonominë vendore. Është një kriter i vendit, për integrimin evropian. Dhe natyrisht ka efekte të drejtpërdrejta elektorale. Ajo që kërkohet nga maxhoranca është; garancia për të gjithë shqiptarët që akti i shëmtuar i shkeljes së konsensusit për nëpunësin civil përmes arbitraritetit të aktit normativ antikushtetues, të jetë një mësim i hidhur i së kaluarës. Pra të reflektohet dhe jepet garanci përndryshe ç’kuptim ka që ne ulemi, angazhohemi, marrim parimet e konsensusit, hartojmë dispozitat ligjore, i miratojmë me konsensus, dhe javës tjetër ato hidhen poshtë me akt normativ. Ky është thelbi i asaj që thashë” tha ai.E drejta e vetos dhe garantimi i konsesusit deri ne votimin final te kesaj reforme, jane qendrime per te cilat opozita nuk hap rruge.“Uroj që të mos e shikojë këtë si një provë muskujsh, për të cilën natyrisht nuk angazhohemi, por jemi gati nëse na thërrasin në sheshin e një beteje, që në fakt për ne dhe për çdo qytetar shqiptar do të ishte beteja për mbrojtjen e kufirit të shenjtë të demokracisë. Por uroj ta shohë si një mundësi të artë për të rikthyer besimin. Besimin që ata vetë e kanë shkelmuar dhe goditur me shkeljen e paprecedentë të konsensusit për nëpunësin civil, dhe nëpërmjet këtij akti të investohen për të rivendosur konsensusin si vlerë, që është një kërkesë themelore edhe e Bashkimit Europian për avancimin në procesin e integrimit, është padyshim edhe një test themelor, bashkëkohor për qytetarët shqiptarë që presin një stad të ri të një demokracie pjesëmarrëse gjithëpërfshirëse dhe jo vazhdimin e arbitraritetit dhe shurdhërisë ndaj shqetësimeve, halleve dhe probleme të tyre”theksoi Basha.Konsensusi eshte jetik per kete reforme me nje impakt te madh ne decentralizimin e pushtetit vendor po dhe ne proçeset elektorale dhe nese nuk garantohet, Basha tha se mazhoranca do te perballet me nje reagim te forte opozitar.“Qeveria jonë dje, as qeveria e sotme dhe asnjë qeveri nuk mund të diktojë apo imponojë qendrimin e saj në një reformë kaq të veçantë e gjithëpërfshirëse, siç është ajo territoriale-administrative.Çdo qëndrim tjetër, që nuk merr në konsideratë domosdoshmërinë e konsensusit, do të konsiderohet i papranueshëm nga ana jonë. Hapat arbitrare në drejtim të imponimit me fuqinë e verbër të kartonave, të një realiteti që shkelmon çdo parim të një demokracie gjithëpërfshirëse, funksionale, çdo precedent të mëparshëm të bashkëpunimit maxhorancë-opozitë jo vetëm gjatë dekadës së fundit por gjatë gjithë këtyre 23 vitesh pluralizëm, do të jenë kambana e fundit për këtë sjellje arrogante, antiligjore të kësaj maxhorance. Dhe do të detyrojnë një reagim të fuqishëm të opozitës në çdo hapësirë institucionale, qytetare, kombëtare dhe ndërkombëtare” përfundoi Basha.