‘Alarm’, skandali i kreut të SHISH, kupola drejtuese me eksponentë të ish-SHIK-ut të ‘97
Rikthimet dhe emërimet në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror, kanë qenë fokusi i investigimit të emisionit “Alarm”.
Me emërimin e Drejtorit Visho Ajazi Lika në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në gusht të vitit 2012, kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në personel e sidomos në kupolën drejtuese të tij. Nga një anë kemi ish-punonjës të viteve ‘92-‘97 të rikthyer dhe emëruar në poste të larta drejtuese.
Pasi kanë qenë të larguar për shumë vite nga ky shërbim, rikthimi i tyre është vlerësuar duke ju dhënë mundësi që ata të mbajnë tani poste të rëndësishme drejtuese.Së dyti, punonjës të dikastereve të tjera të emëruar në kundërshtim me statusin e punonjësve të SH.I.SH pranë këtij të fundit, por edhe punonjës të mbetur nga vitet ‘92-‘97, promovuar me ndyshimet e fundit, në pozicione drejtuese.Megjithëse një institucion që në bazë të punës së tij ka sekretin, gazetarët e “Alarm” kanë arritur të zbulojnë se edhe pse në mungesë të disa kushteve si kursi bazë , apo kushti i sigurisë , këta punonjës janë sot kupola e SHISH.
Rasti më flagrant është ai i një ish-punonjësi të Gardës së Republikës, i cili ka shërbyer më herët si bodigard i z. Lika, emëruar direkt kryetar dege pa qenë më parë i emëruar në nivel më të ulët, atë të inspektorit.















Në lidhje me këtë skandal, ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, u shpreh se rikthimi i punonjësve të viteve ‘92-‘97 rikthen një eksperiencë negative në këtë institucion, teksa emërimet e reja në kundërshtim me kriteret e përcaktuara ai i ka quajtur thjesht vende pune që po zihen tashmë nga individë të cilët kanë ngelur pa punë pas ikjes së qeverisë Berisha.