Bogdani për Radikën: Qeveria të refuzojë planin, cënon sigurinë kombëtare
Qeveria shqiptare duhet të dalë me një qëndrim zyrtar përballë shtetit maqedonas lidhur me lumin Radika. E ndërsa pati një reagim nga kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme, për deputetin demokrat, Gert Bogdani, nevojitet qëndrim zyrtar përmes Ministrisë së Energjikës dhe Industrisë si dhe Ministrisë së Jashtme, të cilat sipas tij nuk duhet të japin në mënyrë kategorike konfirmimin ndaj projektit maqedonas.“Padyshim që ka diçka që nuk e dimë. Në ditët në vijim qeveria shqiptare duhet të mbajë se s’bën një reagim zyrtar jo vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë, por dhe ndaj qeverisë maqedonase. Ata kanë një projekt për një hidrocentral që merr prurjet e lumit Radika dhe e devijon rrjedhën e tij nga lumi Drin në atë Vardar. Projekte të tilla nuk mund të bëhen pa konsensusin e palës tjetër të prekur, në këtë rast të Shqipërisë. Janë çështje që u takojnë marrëveshjeve mes vendeve, çështje që u takojnë kritereve dhe normave ndërkombëtare. Pa një ok të palës shqiptare, dhe për këtë Rama duhet të jetë i kujdeshëm , Ministria e Energjitikës, por dhe ajo e Jashtme duhet të jenë të kujdeshme që në mënyrë absolute të mos e japin këtë konfirmim, atëherë nuk do jetë një projekt që nuk do realizohet. Pala maqedonase është në rregull se shohin interesat kombëtare të tyre, ndërkohë është qeveria shqiptare që duhet të shohë interesat e qytetarëve shqiptarë. Rama nuk duhet të merret me komente të protestave të qytetarëve, por duhet të ketë një reagim zyrtar ndaj palës maqedonase, qoftë nëpërmjet Ministrisë së Energjitikës, qoftë asaj të Jashtme” tha ai.Referuar deklaratës së Ramës se po bëhet shumë zhurmë për asgjë, Bogdani kujtoi se të njëjtën strategji Kryeministri ndoqi edhe lidhur me çështjen e armëve kimike. Duke nënvizuar fort se kjo nuk është një çështje krahinore, por cënon direkt sigurinë kombëtare të vendit, Bogdani thekson se qeveria duhet të tregohet e përgjegjshme në mbrojtje të interesave të qytetarëve të saj. Ndërkaq ai ka përshëndetur qëndrimin e grupit parlamentar të LSI, që sipas tij është në sinkron me zërin e qytetarëve dhe opozitës.“Për zotin. Rama kam përshtypjen që shumë zhurmë për asgjë ishte dhe çështja e armëve kimike, me të cilën i mbajti në ankth qytetarët shqiptarë për disa javë me radhë derisa ata e detyruan të thotë jo. Deklarata e zotit.Rama vjen e detyruar nga reagimi i qytetarëve shqiptarë jo vetëm në Dibrën e Madhe, jo vetëm në Dibër, por dhe dje në Tiranë, protesta qytetare që do merrnin sigurisht përmasa më të mëdhaja edhe pas sensibilizimit të çështjes. Tani po merr reagime nga qeveria shqiptare që po mundohej ta kalonte në heshtje deri tani. Kjo nuk është një çështje krahinore apo rajonale, ka të bëjë me gjithë shtetin shqiptar dhe sigurinë kombëtare. E njëjta çështje është edhe ajo e lumit Vjosa në burimet në Greqi. Më në fund ka një reagim nga Kryeministri shqiptar, pavarësisht se atij i duket shumë zhurmë për asgjë. Ajo që është e rëndësishme është që qytetarët shqiptarë përsëri e detyruan të japë një prononcim dhe ta bëjë të përgjegjshëm për ato çështje që janë në interes të qytetarëve. Qëndrimi i LSI ishte një qëndrim i matur, qëndrim që i bashkohet zërit të qytetarëve dhe zërit të opozitës. Nëse nuk do ta kishte bërë LSI interpelancën, do ishin deputetët e PD që do kërkonin interpelancën, por jo me Ministrin e Jashtëm por me Kryeministrin, pasi me skemën e re të qeverisjes Ministrat nuk janë as deputetë, thjesht asistentë të kryeministrit. Vendimi i LSI është për tu përshëndetur pasi ka dëgjuar zërin e qytetarëve dhe opozitës shqiptare” u shpreh Bogdani.Por nëse lidhur me çështjen Radika qeveria shqiptare vazhdon të mbrojë alibinë se nuk ka asnjë plan dhe pse qeveria maqedonase thotë të kundërtën, të njëjtin problem kemi edhe me Greqinë për lumin Vjosa, ku këtu vlen të theksohet fakti se plani është vënë në zbatim. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, deputeti Bogdani deklaroi se zanafilla e këtyre problemeve qëndron në moton e lançuar nga Kryeministri Rama në strategjinë e tij për politikën e jashtme, “zero probleme me fqinjët”.“Shqipëria duhet të heqë dorë nga kompleksi i inferioritetit në këtë rast. “Zero probleme me fqinjët”, është një gabim me politikën e jashtme. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë gjithmonë probleme që duhen ngritur dhe diskutuar. “Zero probleme me fqinjët” me Greqinë nuk do të thotë që nuk do të ngresh asnjeherë çështjen çame, apo problemin e tokave me pronarë shqiptarë, çam apo jo. “Zero probleme me fqinjët” nuk do të thotë që Maqedonisë ti lejosh një projekt të tillë që të kufizojë prurjet në lumit Drin, të ndikojë drejtëpërdrejtë në situatën tënde hidrike, energjitike, pra në sigurinë tënde kombëtare, apo në rastin e Greqisë me lumin Vjosa. Këtu është gabimi i zotit.Rama, tek ky term “zero probleme me fqinjët”. Me fqinjët duhet të jemi të barabartë dhe duhet ta shohim veten të barabartë. Në rastin më të paktë duhet ti kërkojmë llogari si njërit shtet apo shtetit tjetër dhe më pas ti kërkojmë marrjen e masave që gjëra të tilla të mos ndodhin, se cënojnë interesat e qytetarëve shqiptarë” përfundoi Bogdani.