Duçka në forumin për energjinë: Projekti TAP, integrimi real në BE
Në 16 Janar, IBDE organizoi Forumin Evropian të Energjisë, që u zhvillua nën kujdesin e Qendrës Evropiane për Sigurinë e Energjisë dhe Burimeve në Universitetin Prestigjoz të King’s College London.Forumi eksploroi disa nga sfidat kryesorë për të ardhmen e sigurisë dhe infrastrukturës së energjisë në Evropë si dhe mundësitë për investim dhe biznes në këtë sector.Ky forum ishte një sukses, ku prezent ishin 20 panelistë të shkëlqyer duke përfshirë dhe Ministrin e Shtetit për Biznesin dhe Energjinë, Majkëll Fallon si dhe një sërë ambasadorësh, drejtues nga fusha e biznesit, ekspertë akademikë dhe rreth 180 delegatë nga fusha e industrisë, rrethet diplomatike, agjencitë qeveritare dhe akademia.Në këtë forum të rëndësishëm mori pjesë si folës kryesor dhe Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Dorian Duçka. Në panelin me temë “Korridori Jugor i gazit, dhe gazi natyror në Mesdheun Lindor- Mundësi për Evropën”, të sponsorizuar nga TEAS, Shoqata Evropiane e Azerbajxhanit, Z.Duçka tregoi mbi vizionin e Qeverisë shqiptare për të qenë një kontribues kryesor në sigurinë e energjisë së Bashkimit Evropian duke qenë një hallkë kyçe e këtij Korridori.Sipas tij, Shqipëria, do të përfitojë rreth 1 miliard euro investim të huaj të drejtpërdrejtë nga Projekti TAP, por që Qeveria, nuk e sheh rolin e vet në këtë projekt vetëm si një vend tranzit, por ka si qëllim të shndërrohet në një nyje kyçe të transmetimit të gazit natyror në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria do të jetë pika lidhëse me Projektin IAP si dhe një pikë lidhëse me furnizim me gaz natyror për Kosovën në të ardhmen.Duçka shprehu vendosmërinë për të realizuar dhe mbështetur në kohë zbatimin e Projektit TAP si dhe vizionin e Qeverisë për të përfunduar Master Planin për gazifikimin e vendit në muajt e ardhshëm. Sipas Z.Duçka, për Shqipërinë, përfshirja si aktor kryesor në këtë projekt, është integrimi real në Bashkimin Evropian.Duçka ftoi përfaqësuesit e kompanive të huaja në tregun e energjisë, të vijnë dhe të investojnë në tregun e ri të gazit natyror por dhe në burimet e tjera të energjisë në Shqipëri.Gjatë punimeve të Forumit, Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, u takua me Ministrin e Biznesit dhe Energjisë për Britaninë e Madhe, Majkëll Fallon të cilit i shprehu falënderimet për mbështetjen e këtij vendi mik në zhvillimin e Shqipërisë.Investimet britanike, si përfshirja e Kompanisë British Petroleum në këtë projekt është shenjë pozitive për rritjen e investimeve britanike në Shqipëri. Fallon e ftoi Z.Duçka për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy institucioneve në fushën e energjisë, dhe premtoi një rritje të bashkëpunimit.