Basha te Kryekomunari: Sulm terrorist ndaj opozitës, drejtësia të zbardhë autorët

Partia Demokratike do të dalë me një plan masash për nxjerrjen e vendit nga tabaku ku ka rënë gjëndja e e sigurisë dhe rendit në vend. Një fakt të tillë e ka bërë me dije kreu i demokratëve, Lulzim Basha, pasi vizitoi kryekomunarin e Qëndrës Fredo Berberi në Spitalin Ushtarak.“PD do të propozojë së shpejti një sërë hapash dhe masash për të evidentuar përgjegjësitë e qeverisjes në raport me situatën në vend dhe propozuar një sërë alternativash për të dalë nga tabaku ku ka rënë siguria dhe rendi” tha ai.Ndërsa shoqërohej nga Ferdinand Poni dhe kreu kuvendor i demokratëve Edi Paloka, Basha ka dënuar me tone të ashpra sulmin e një dite më parë ndaj kreut të komunës Qendër në Vlorë, Fredo Berberi. Shefi i PD apeloi drejtësinë për zbardhjen e autorëve, ndërsa një paralajmërim ka adresuar edhe në drejtim të këtyre të fundit.“Sapo vizitova kryetarin e komunës Qëndër Fredo Berberin, i cili dje ishte viktimë e një atentati të tipit terrorist me tritol, që falë Zotit nuk i mori jetën, por mbeti i plagosur dhe për shkak të gjendjes së tij i është nënshtruar ndërhyrjeve të gjata kirurgjikale. Shpreh ndjenjat tona të solidaritetit të mbështetjes për Fredo Berberin dhe familjarët e tij, i urojmë të rikuperohet dhe të ketë shërim sa më të shpejtë.Dua të dënoj fort këtë akt banal, barbar, ka goditur një përfaqësues vendor, ka goditur një personalitet të opozitës shqiptare që bëhet shënjestra e dytë në një hark kohor të më pak se katër javësh pas tentativës ndaj kreut të PD Pogrades dhe i katërti sulm radhazi ndaj opozitës në terësi, duke kujtuar këtu dhunimin e zyrave të PD.U bëj thirrje institucioneve të mobilizohen për zbardhjen e aktit barbar të djeshëm ndaj kryekomunarit Qëndër. Akte të tilla ndaj opozitës nuk janë regjistruar që në vitet e errrëta të ’97-’98.U bëj thirrje gjithashtu autorëve që jemi të vendosur që ata herët a vonë të dalin para drejtësisë” u shpreh Basha.Basha ka garantuar demokratët se PD dhe opozita mbeten të vendosur të mbrojnë me forcë kauzën e opozitarizmit, ndërsa ka apeluar për një reflektim mbarëshoqëror për rritjen e kriminalitetit në vend.“PD aelon për një reflektim mbarëshoqëror. Kjo situatë e krimit dhe pasigurisë është produkt i paaftësisë nga njëra anë të kësaj qeverie, por nga ana tjetë e shkatërrimit me dashje nga ana e saj të policisë së shtetit, duke larguar profesionistët dhe mobilizuar atë me militantë të PS. Kryeministri edhe sot nuk i njeh vetes asnjë përgjegjësi për këto akte të errëta. Dua të siguroj çdo demokrat, çdo opozitar që PD dhe opozIta janë të vendosur të mbrojnë me forcë kauzën e opozitarizmit, askush nuk mund të na e mbyllë gojën” tha për mediat kreu i PD-së.Ndërkohë një ditë pas atentatit me eksploziv ndaj kreut të komunës Qendër në Vlorë Fredo Berberi, mjekët e Spitalit Ushtarak theksojnë se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.Mjekja Elida Shosha ka theksuar për mediat se pacient nuk ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi ka dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit.“Pacienti i është nënshtruar një operacioni i cili në tërësi kaloi mirë, por situata është e rëndë dhe ndodhet në terapi intensive. Nuk themi dot që pacienti është jashtë rrezikut për jetën. Ai ka lindur me një veshkë dhe ajo është dëmtuar. Gjithashtu pacienti ka dëmtime në zorrën e trashë, në gjymtyrët e poshtme dhe në pjesën e barkut” u shpreh mjekja.Ngjarja e rëndë u shënuar mesditën e së hënës në qendër të qytetit të Vlorës, në bulevardin Vlorë-Skelë, ku automjeti tip fuoristradë në pronësi të kryekomunarit, është hedhur në erë.Fredo Berberi e kishte mandatin e dytë si kryetar i komunës Qëndër nën siglën e Partisë Demokratike.