Kthimi i plangprishësit…
1.Hieronymus van Aken, i njohur si Hieronymus Bosch, ashtu siç ndodh përgjithësisht me të gjithë krijuesit emëdhenj, është sot e kësaj dite një burim moskuptimesh, madje dhe në historinë serioze të artit. Që në fillimet e veta Bosch është konsideruar një faiseur de diable dhe një kuriozitet kulturor, pastaj më vonë një fillimtar i zhanrit të pikturës së peizazhit…Por ekstremi i gjykimit, si gjithmonë në kohërat tona moderne, i përket psikanalistëve, të cilët, duke mos ngurruar të spekulojnë kudo, sidomos në pikturë (arti më ideal i lehtësisë së spekulimit), me atë prirjen e papërballueshme të përbaltjes të së bukurës, kanë patur njëherësh guximin dhe paturpësinë për ta quajtur piktorin e madh, simbolist të seksit! Siç shihet, qoftë dhe kjo, Bosch është i njohur deri më sot nga perspektiva e pjesshme dhe arbitrariteti i interpretimit. Mungesa e të dhënave materiale biografike dhe vetë irracionaliteti në dukje i artit të Bosch-it, vetëm sa kanë kontribuar në këtë çështje të pafat. Studiuesit seriozë të Bosch ngulin këmbë, po qe se vepra e Bosch merret si një regjistrim historik i shpirtit njerëzor, ne mund të zbulojmë dhe faktet biografike dhe psikologjike të autorit të tyre shumë më tepër nga ç’mund të na japin dhe arkivat më të pasur…Personalisht, Bosch është njëri ndër piktorët që më ka tërhequr që herët dhe që vazhdon të më mahnitë përherë e më tepër. Simbolizmi i tij është si një orakull i vdekur, gjuha e shenjave të të cilit, me vdekjen e të zotit, e kanë humbur forcën e zbulimit dhe të deshifrimit. Vepra të tilla si “Pema e njohjes” (ndikimi i së cilës është aq tepër i dukshëm në veprën e Salvador Dalisë, sa ç’është dhe një ndikim kurrë i afirmuar në mënyrën më mosmirënjohëse), “Tundimi i Shën Andonit”, “Ferri”, janë vepra që mund t’i shoh i mahnitur me ditë të tëra, për t’iu kthyer përsëri e përsëri si vepra që i shoh për herë të parë.“Djali plangprishës” i Bosch është dhe vepra e tij më origjinale dhe ndoshta më e fuqishmja. Origjinale, sepse është një pikturë me një temë të bërë pothuajse nga të gjithë piktorët e mëdhenj të kësaj bote. Dhe e pangjashme me asnjërën prej tyre. Zakonisht njerëzit njohin famën e pikturës së Rembrandit “Kthimi i djalit plangprishës”, që ndodhet në Ermitazh të Shën Petersburgut. Por “Kthimin e djalit plangprishës” të Rembrandit e dëmtojnë disi notat moralistike. Tek piktura e Bosch-it është vetëm artisti i madh, që i falet artit të vet: Në qendër të pikturës është një burrë në ngjyrë gri, me një pamje të turbullt dhe me plakje të parakohshme, që mund të qe pamja e zakonshme e një burri në qytetet europiane të pasmbarimit të Luftës së Dytë Botërore, a pamja e zakonshme e një njeriu në qytetet e sistemit komunist a postkomunist, diku në Tiranë a në Havanën e Kubës…Figura e djalit plangprishës së Bosch kërcen që nga korniza e pikturës gotike drejt e në ditët tona; portreti i tij mund të jetë dhe portreti i një refugjati që po kthehet në shtëpinë e vet nga shteti fqinj i Greqisë. Fytyrën e ka të kthyer pas, shenjë se ai sapo ka arritur ta bindë veten për t’u mbështetur te guximi për të besuar se mund të kthehet në jetën normale. Megjithatë, hapat e tij të përmbajtur dhe të ndalur na japin të kuptojmë se ai ka çuar der’ më tash një jetë pa kuptim, dhe jeta e tij e deritanishme ka qenë e humbur. Shikimi i tij është një vështrim i xhamtë; buzët janë të shtrënguara fort, si ai njeriu që sapo ka shijuar diçka tepër të hidhur, të cilën kurrsesi nuk do që ta shijojë prapë. Njeriu qëndron në një pozicion kthese. Këmbët duken se premtojnë një lëvizje përpara, në kundërshtim me sytë që shohin pas. Dora e majtë, që mban një kapelë, duket si dora e një njeriu që nxiton t’i thotë lamtumirë botës së pamëshirshme dhe mizore të vesit. Bosch përqendrohet në çastin kur njeriu ndodhet në pikëkthesën e jetës së vet, kur vetëdija e një jete të shkuar kot bëhet arsye për t’u kthyer pas…Shumë piktorë e kanë trajtuar temën e Djalit plangprishës. Por Bosch është i vetmi prej tyre që me një guxim të madh prej gjeniu e interierizon subjektin. Ajo çka ndodh shpirtërisht është gjithçka, dhe e gjitha kjo është e kundërta e pikturave të tjera që kanë preferuar pikturimin e sipërfaqësores dhe të rrëfimit moralistik. Skena është tepër e thjeshtë: figura kryesore dominon distancën e mesit të tablosë, nga e majta tek e djathta. Ana e majtë është ligësia, e djathta është e kundërta e saj, shpresa tek mirësia. Skena e pjesës së majtë të tablosë paraqet një tavernë, një shtëpi të vesit, të shkatërrimit shpirtëror; çatia është e shtrembër dhe e hapur në majë. Trarët nuk e mbajnë më shtëpinë, qelqet e dritareve janë të thyera, vetë dritaret nuk mund të mbyllen më. Taverna kthehet kështu në një simbol të neglizhimit e të fëlliqësisë. Ngjyrat e errëta të derës dhe të dritareve simbolizojnë jetën sensuale, seksuale dhe të pakuptimtë që ka ndodhur brenda banesës, tavernë a shtëpi publike, a të dyja bashkë. Në kontrast me tavernën, pjesa e djathtë e pikturës paraqet një peizazh të paqtë dhe të hapur. Një portare e vockël, nën hijen e një peme, na çon drejt livadheve të gjelbra të Psalmit 23. Në anën e majtë, një qen i egër që hungëron kërcënueshëm, dhe derrat që bëjnë zhurmën e tyre të neveritshme. Në anën tjetër, një lopë në ngjyrë kafe të çelët, e qetë dhe e patrazuar nga asgjë, si të gjithë krijesat e mira. “Është koha më e përshtatshme për të ikur prej këtu’’, – duket se thotë guhaku në pemë, duke mbledhur i zemëruar puplat e veta. Guhaku, simboli i urtësisë, tek Bosch simbolizon atë që zotëron kuptimin e urtësisë dhe të vdekjes. Portari i vogël përmes të cilit i duhet të kalojë njeriu, është i ngushtë, sepse është portari i jetës…Piktura e Bosch karakterizohet nga tri tipare thelbësore: ngjyra ekstremisht e kontrolluar, e vetëpërmbajtur, gati-gati një ngjyrë monokromatike; instabiliteti i qëllimshëm i masës piktorale; si dhe realizmi gati stereoskopik i objekteve. Por realiteti tek Bosch gjithmonë kondensohen në simbole. Impakti vizual përçon një ngarkesë të fortë intelektuale, ashtu siç ndodh dhe me Melencolia-në e Dürer-it, ku piktura dhe arti bashkëjetojnë harmonikisht me matematiken, gjeometrinë dhe dijen njerëzore.2.Më 23 dhjetor të vitit që kaloi, vdiq një inxhinier ushtarak rus, pamja e të cilit ishte dhe pamja e zakonshme e një ushtaraku të zakonshëm në vendet ish-komuniste. Shoh foton e tij: një xhaketë civile, e cila i rri në mënyrën më të shëmtuar, sepse është zgjedhur dhe veshur nga një njeri që është mësuar gjithë jetën e vet që të rrijë veshur me uniformën ushtarake. Nga kjo është e kuptueshme përse këmisha dhe sidomos kollarja që ka veshur janë dhe stonaturat më të mëdha. Pamja e tij është pamja e një njeriu banal, nga ata oficerët me të cilët e kish zakon që të bënte humor shkrimtari rus Sergei Dovlatov (kam parasysh tregimin e tij “Rripi i oficerit”), apo nga ata oficerët që na bënin zborin ushtarak, duke mos ia përtuar dhe shpjegimit politik të situatave ndërkombëtare dhe rrezikut që i sillte NATO vendin tonë…Këto janë vetëm përshtypjet e para sipërfaqësore që të sugjeron fotoja e tij. Dhe fotografia e tij u botua në të gjitha gazetat e mëdha të Perëndimit tek lajmëronin vdekjen e tij. Vdiq në moshën 94-vjeçare. Quhej Mikhail Kalashnikov. Krijuesi i armës më popullore të shekullit XX, AK-47, që fatalisht u quajt me emrin e krijuesit të vet, Kalashnikov. AK-47 u krijua në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, një armë e lehtë dhe e kollajshme për t’u përdorur për të vrarë njerëz. Krijuesi i saj, një oficer tankist i ushtrisë sovjetike, pat deklaruar se arma e re do të përdorej vetëm e vetëm për të mbrojtur Mëmëdhenë. Nuk mund të dyshosh në sinqeritetin e fjalëve të tij. Veçse ironikisht Kalashnikov u përdor për herë të parë në shtypjen e kryengritjes antikomuniste të Budapestit, në vitin 1956…Pastaj në Varshavë dhe në Berlinin Lindor…Lajmi i vdekjes së Mikhail Kalashnikovit, këtu në Perëndim në fillim u njoftua si një kronikë kureshtare e reminishencave nostalgjike të kohërave të Luftës së Ftohtë…Por ja që sot për herë të dytë gazetat i kushtojnë hapësirat e tyre Mikhail Kalashnikovit, veçse këtë radhë për një arsye tjetër…Kisha Ortodokse Ruse bën të ditur se Mikhail Kalashnikov, qytetar rus, në marsin e vitit të kaluar, plot 9 muaj përpara vdekjes së vet, po aq muaj sa i janë dashur të vijë në këtë botë, i ka shkruar një letër Kishës Ruse për t’ia falur mëkatin e shpikjes së armës AK-47, e cila, sipas tij, ka vrarë me mijëra e mijëra e mijëra njerëz, në Rusi, në republikat e Bashkimit Sovjetik, në Lindjen e Mesme, në Amerikën Latine, në Afrikë, në kontinentin aziatik, në Shqipëri……Oficerit me pamjen banale të një ushtaraku provincial, dhe me veshjen e tij ende më banale, në fundin e jetës i zgjohet dëshira e kthimit pas…Djali plangprishës ndjen pendimin, këtë shkëndijë hyjnore që bën të mundshëm lartësimin e qenies njerëzore. Dhe e kërkon pendesën…E përfytyroj në çastin e fundit të jetës: një figurë e deformuar e një automatiku, e deformuar si në pikturat e Bosch-it, që zgjatet drejt duarve të njeriut që po jep shpirt, madje duke e tërhequr me forcë pas vetes drejt një humnere, humnerës së Ferrit. Dhe pastaj pamjet e Ferrit, e atij Ferri që di të pikturojë vetëm Hieronymus Bosch, me pamjet apokaliptike dhe stërgroteske të së keqes…3Përmendja e Shqipërisë në letrën e pendimit të Mikhail Kalashnikovit nuk përbën ndonjë surprizë. Arma AK-47 është ndër shpikjet që ka gëzuar popullaritetin më të madh ndër shqiptarët, aq sa tek ne ekzistojnë dhe format përkëdhelëse të saj (Kallash, Kallaçka, Kallasha).. Më ka qëlluar të lexoj kujtime nostalgjikësh të sistemit komunist, nga ato që jo rrallë shfaqen me guxim në shtypin tonë. Më kujtohet njëri që përshkruante hollësisht një vizitë të Çe Guevares andej nga viti 1964 në Tiranë. Ai përshkruan me krenari se si Çe Guevara ikën i lumtur nga Shqipëria duke marrë një ‘Kalashnikov’ të larë në argjend, dhuratë nga udhëheqësit e lartë komunistë…Kallashnikovët tek ne prodhoheshin në Poliçan dhe në Gramsh, madje me shumicë, aq sa arrinin të eksportoheshin dhe në Palestinë, në Kongo dhe në Kamboxhia. Derisa një ditë dashuria e madhe e shqiptarëve për ‘Kalashnikovin’ u kthye në boomerang kundër vetë atyre. Sa shqiptarë janë vrarë nga kalashnikovët? Një statistikë e kureshtshme dhe tepër e dhimbshme. Kam frikë se shifra do të jetë tepër e lartë për një vend të vogël si ky i yni…A është shqiptari një djalë plangprishës? Me dashurinë tonë enigmatike për shkatërrimin dhe vdekjen? Me deklaratat tona për lidhjet e gjakut me Turqinë? Me kokëfortësinë për të mos u penduar? Me zonjën Macbeth nëpër këmbë, e sigurt, agresive dhe e shëndetshme, që është më krenare se kurrë për krimet monstruoze? Me nostalgjinë për vrasjet dhe kasapët e djeshëm? Me atë prirjen e frikshme që kemi për të rehabilituar në skenën e historisë njeriun më të lig dhe më dëmsjellës të shqiptarëve? Me atë ligështinë tonë për të vlerësuar dhe për të vënë në krye të politikës atë më të korruptuarin dhe atë që na përçmon më shumë? Me përbaltjen e figurës së Skënderbeut dhe të Nënë Terezës? Me veset e korrupsionit e të këmbëshkeljes së njeriut më nevojtar? Me atë gatishmërinë për të respektuar atë që na vjedh më shumë e për t’iu hakërruar atij që vjedh një copë bukë? Me përçmimin ndaj vlerave tona? Me shprehinë e mbrapshtë të përbaltjes me shpifje dhe prapa-shpinësira?Puna është tek pikë-kthesa, tek hedhja e këmbëve përpara tek shohim me dyshim nga pas. Tek ecja drejt asaj portares së ngushtë, drejt livadheve të paqta me vetveten. Që dhe shqiptari të mbërrijë më së fundi në shtëpinë e vet./Burimi: mapo.al/