Fillon lufta e Vetvendosjes kundër kapitalizmit

Atë që Kurti e kishte propaganduar me vite të tëra e realizoi dje, me ndihmën e komisarëve të tij, Sfeqla e Aliu. Objekti i Ramiz Kelmendit as nuk ishte më i shëmtuari e as më i egri në Prishtinë. Por u kualifikua për rrënim se ishte i një biznesmeni, mbiemër ky kaq i urryer për Kurtin.
Winston Churchill, duke folur për ideologjitë ekstreme të majta – sikur kjo e VV – thoshte se problemi kryesor i tyre është se i kushtojnë shumë vëmendje mënyrës së shpërndarjes së pasurisë, e hiç vëmendje mënyrës së krijimit të pasurisë.Unë në këtë dritë e shoh edhe sulmin ndaj njërit prej biznesmenëve kryesorë në vend, Ramiz Kelmendi, duke e goditur në mënyrë simbolike, të parin, njërin prej biznesmenëve kryesorë në vend.Nuk dëshiroj të lëshohem në karakterin dhe cilësitë që ka apo nuk ka Kelmendi. Kjo mund të jetë personale. E rëndësishme është që Shpendi – i cytur nga komisarë si Sfeqla e Aliu – vendosën që të parin ta godasin personifikimin e kapitalizmit. Njeriun që bën tregti, duke mos njohur shumë skrupuj. Kjo patjetër që është edhe një hakmarrje personale e Kurtit ndaj Kelmendit për fushatën “Duaje tënden”, pasiqë sipas VV, është Kelmendi ai që e ka shkelur këtë ‘embargo’ të këtyre këmishëzinjve. Kurse, padyshim që ky sulm është edhe politiko-partiak. Jam i sigurt që ndërtimi i Kelmendit as nuk ishte më flagranti e as më i shëmtuari në vend, që të meritonte të kualifikohej si i pari për t’u rrënuar.Dje e sot gjatë tërë ditës, i madh e i vogël në AAK u përlotën kur Donika Gërvalla e goditi me ca deklarata – pra me deklarata e jo me buldozer – kreun e AAK, ndërsa sot, kur u godit një tjetër zyrtar i kësaj partie, ata të gjithë e ulën kokën. Këto mund të janë probleme të tyre të brendshme, por unë mendoj se ne si qytetarë të këtij vendi nuk duhet të solidarizohemi me fushata të tilla të çmendura të Albin Kurtit, duke i sulmuar mu të parët, ata që do të thoshte Churchill, i krijojnë paratë, si zoti Kelmendi në këtë rast.Pa pikën e dyshimit që Shpendi fatkeq do t’i shohë në mes të gishtave të gjithë ata biznesmenë që në një formë a në një tjetër do të ulin bishtin përballë kësaj kaste politikanësh lunatikë.E pata dëgjuar një biznesmen hungarez në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur e përshkruante ardhjen e komunistëve pas Luftës së Dytë Botërore në shtetin e tyre. “Ata erdhën me premtimin se të pasurit do të bëhen më të varfër, e të varfrit më të pasur. Kurse çka ndodhi realisht, ishte se të pasurit u bënë më të varfër, e të varfrit edhe më të varfër”.Deri sot kushdo që ka propaganduar ideologji të tilla kështu ka përfunduar. Nëse dikush edhe më tutje i beson ideologjisë së çmendur të VV-së, atëherë patjetër është duke besuar se një Rend i Ri Botëror po fillon në këtë provincën tonë.Sot në Prishtinë, VV nuk ka sulmuar Ramiz Kelmendin si biznesmen, por ka sulmuar ekonominë e lirë të tregut./Burimi: mapo.al/