Rama: Situata energjitike alarmante. Do shlyejmë të gjitha borxhet
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si alarmante situaten energjitike në vend. Duke folur në mbledhjen e task forcës për energjinë, kreu i qeverisë theksoi se kjo gjendje është trashëguar në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike."Është domosdoshmëria për të ripërtërirë përgjegjshmërinë që mbron dhe zhvillon bashkëjetën tonë në këtë vend. Më lejoni t`ju them se 91 përqind e kontratave të abonentëve familjarë dhe 88 përqind e kontratave të biznesit rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në tetor 2012 rezulton 36.60 përqind e energjisë së blerë, dhe humbja në dhjetor 2012 ka kapur shifrën 55.46 përqind. E pra energjia që do të shkonte për shërbimin dhe ndriçimin e një vendi qartazi ka shkuar në katër anët në xhepat e këtij vendi" tha Rama.Sipas kryeministrit, gjendja në sistemin e energjisë është përkeqësuar në vijim gjatë këtij viti dhe krahasur me një vit më parë humbja dhe vjedhja janë thelluar."Ndërkohë që me fillimin e punës nga administratori i ri dhe marrjes së disa masave për të frenuar hemoragjinë e rëndë në sistemin e energjisë ka nisur me një frenim paraprak por kurrsesi përfundimtar i vjedhjes ndërkohë që kjo task forcë ka detyrimin që të vendosë të gjithë strukturat e shtetit në shërbim të një misioni shumë të qartë, kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe të vjedhjes në një grafik të rënies dhe transformimin e kësaj krize të thellë në një situatë normale” shtoi Rama.Ndërsa bëri publik borxhin që shteti i ka kompanisë së shpërndarjes së energjisë, Rama theksoi se qeveria do të bëjë shlyerjen e tij duke e nisur kështu ndryshimin nga vetja."Kjo situatë është tregues i cilësisë së marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarit. Dhe kjo marrëdhënie mund të konsiderohet një fushë tërësisht e minuar përderisa shteti nuk i paguante faturat e energjisë. Nuk ka rëndësi shifra pasi mjafton mesazhi i paligjshmërisë që transmeton një qasje dhe një brutalitet të tillë. Çfarë mund të kërkojë një qeveri nëse nuk respekton asnjë detyrim ligjor në këtë fushë. Borxhi i energjisë elektrike e institucioneve publike është shumë i lartë. Institucionet buxhetore kanë pasur 5.5 miliard borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes dhe ky borxh arrin 7.6 miliard lekë duke përfshirë edhe institucionet jobuxhetore. Edhe për subvencionet ka borxhe që do të thotë se shteti nuk ka paguar energjinë elektrike e grupeve në nevojë por defakto këta persona rezultojnë pjesë e borxhlinjve të sistemit pasi qeveria nuk ia ka atribuar. 13 miliard lekë që qeveria duhet të kishte paguar për invalidët dhe nuk e ka bërë. Ne mund ta themi se nuk e kemi nisur nga të tjerët, as nga ata të hallkës së fundit edhe nga konsumatorët që janë në gjendje të paguajnë dhe as nga biznesi që është në fajësi të dyfishtë si konsumator që energjinë e vjedh për qëllim fitimi por e kemi nisur nga vetja duke shlyer të gjitha borxhet që shteti i ka sistemit të shpërndarjes" tha Rama.Në fund të fjalës së tij, kryeministri Rama përcolli edhe mesazhin se do të marrë fund historia se kush paguan duhet të paguajë më shumë dhe kush nuk paguan mund të vjedhë gjithmonë e më shumë."Kjo është vendosshmëria që ne do ta përballojmë këtë detyrë të vështirë. Dhe do ta fillojmë me dy nivele: në nivelin e raporteve të insitucioneve buxhetore me sistemin e shpërndarjen së energjisë dhe të biznesit me kompaninë e shpërndarjes. Do ta fillojmë aty ku energjia vidhet për qëllime fitimi, dhe me vendosmërinë që jo vetëm prokuroria por edhe gjykata do të jetë në krahun e ligjit. Dhe me shpresën që çdo vjedhës do të marrë ndëshkimin që meriton sipas ligjit” përfundoi Rama.Task Forca për përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike do të fillojë punën nga institucionet dhe nga ato kompani që vjedhin energjinë për qëllime fitimi. Puna e Task Forcës do të fillojë në dy nivele paralelisht. Në nivelin e raporteve mes institucioneve buxhetore dhe publike me sistemin e shpërndarjes dhe paralelisht, në raportin mes biznesit dhe sistemit të shpërndarjes.
Në mbyllje të mbledhjes u nënshkruan edhe tri memorandume bashkëpunimi mes Zëvendëskryeministrit, në funksionin e tij si Kryetar i Task Forcës, dhe Prokurorit të Përgjithshëm; mes Ministrisë së Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme; mes Ministrisë së Energjisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.