Largimet “abuzive” nga detyra, gjykata administrative: Tahiri e Didi kryesojnë

Hapja e gjykates administrative 4 nëntorin e vitit të kaluar, duket se ka qenë një bekim për të larguarit nga puna në admnistratën publike, pas ndërrimit të qeverive. Kështu në sekretarinë e kësaj gjykate çdo ditë ka një fluks të madh të personave që e cilësojnë si të padrejtë largimin e tyre nga vendi i punës.Kështu vetëm gjatë dy muajve padia "largimi i padrejtë nga vendi i punës", qëndron në krye të listës. Për të kaluar tek institucionet që janë më të paditura në këtë gjykatë, policia e shtetit zë vendin e parë.Deri në datën 10 nëntor kanë paraqitur ankesat e tyre në këtë gjykatë rreth 150 ish-policë të cilët pretendojnë të kthehen në punë, pasi sipas tyre janë larguar pa të drejtë dhe në mënyrë abuzive.Ndërkohë që për çdo ditë që kalon regjistrohen nga 7-10 padi të reja vetëm për institucionin e drejtuar nga Artan Didi. Pas policisë së shtetit renditet Ministria e Brendshme e drejtuar nga Saimir Tahiri, në drejtim të së cilës janë regjistruar rreth 30 padi.Ndërkohë vetëm pak ditë më parë u krijua edhe shoqata e policëve të larguar nga detyra në 2013, e cila do të marrë në mbrojtje të gjithë efektivët e liruar në mënyrë abuzive nga detyra.Në listën e padive për largim të padrejtë nga puna janë edhe institucione të tilla si Drejtoria e Doganave, Ministria e Financave dhe Drejtësisë si dhe Drejtoria e Burgjeve.Gjatë këtij muaji priten dhe vendimet e para të gjykatës administrative për këto padi, ku një numër i madh të larguarish nga administrata publike pas ndërrimit të pushteteve pretendojnë kthim në vendin e punës apo edhe dëmshpërblim.Ndërsa kjo gjykatë me një vendim të sajin në datën 30 dhjetor ka rrëzuar Denion Meidanin, djalin e ish-Presidentit për pezullimin nga detyra si Drejtor i Antikontrabandës, nga Elisa Spiropali.