Sharrat hynë në Drenovë që në maj, gardianët i lëviznin me kuti shahu brenda burgut
Detaje të reja dalin në dritë nga hetimet e policisë dhe prokurorisë së Korçës për futjen e katër sharrave të hekurit në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë. Mësohet se sharrat janë futur në burg në muajin maj, një muaj pas transferimit të Admir Tafilit në Drenovë.Nga hetimet e para bëhet me dije se sharrat kanë hyrë në ambjentet e burgut sëbashku me ushqimet, për llogari të të burgosurin Dan Hutra,i cili ishte shok dhomë me Admir Tafilin. Mësohet se Hutra vuan një dënim prej 25 vitesh burg, pasi në vitin 2007 akuzohet se ka vrarë bashkëshorten e tij.Hetuesit kanë dyshime të forta se këto sharra janë dërguar në sektorin e paraburgimit ku ndodhen personat të cilën ndihmuan në arratisjen e Admir Tafilit dhe Fran Marashit. Sipas policisë, kalimi i kutisë së shahut nga sektori i sigurisë së lartë tek paraburgimi dyshohet të jetë bërë me ndihmë të oficerëve të burgut.Fletët e sharrave janë gjetur në një kuti shahu, që i përkisnin të burgosurve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari të cilët dyshohen se kanë qenë bashkëpunëtorë në arratisjen e Tafilit dhe Marashit. Gjithashtu në qeli u gjetën dhe dy telefona celularë, që i përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça.Ndërkohë prokuroria e Korçës ka nisur hetimet të posacme për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe personat që kanë ndihmuar në futjen e këtyre mjeteve në burgun e sigurisë së lartë. Aktualisht në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës kontrollet dhe siguria kryhen nga grupe të gatshme nga Tirana, pasi i gjithë stafi i mëparshëm u shkarkua për shkak të arratisjes së nëntorit.