Arrestohet Paro Laçi, priten proçedurat e ekstradimit në Itali

Arrestohet biznesmeni Paro Laçi, i dënuar nga drejtësia italiane për trafikim droge, kryer në bashkëpunim. Arrestimi i tij u bë nga forcat e policisë mbrëmjen e sotme në një lokal në rrugën e Durrësit. Paro Laçi, i dënuar në Itali me 10 vite burg për trafikim droge, u ndalua nga policia me qëllim ekstradimi në Itali.Kështu Laçi rikthehet në qeli pas arrestimit më 7 dhjetor të vitit të 2012. Tre ditë më pas, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj Laçit masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditor, në pritje të procedurave të ekstradimit të tij drejt vendit fqinj.Kjo masë sigurimi apelohet nga avokatët e Laçit, por edhe Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ndërsa prokuroria në bashkëpunim me autoritetet italiane nisin procedurat për ekstradimin e tij në Itali.Por tre muaj më pas, prokuroria i kërkon gjykatës të zgjasë afatet e paraburgimit për shtetasin Paro Laçi, pasi drejtësia italiane nuk kishte dorëzuar ende dosjen e ekstradimit të të dyshuarit. Edhe kjo kërkesë shqyrtohet nga gjyqtari Ibrahim Hoxha, i cili kishte vendosur më parë masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditë ndaj Laçit.Gjyqtari nuk ka pranuar kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e afateve të paraburgimit dhe ka vendosur të pezullojë ekstradimin e Paro Laçit, pasi kishte një tjetër çështje penale që po gjykohej në Gjykatën e Lartë.Gjyqtari vendosi ndryshimin e masës së sigurimit nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” duke urdhëruar lirimin e tij. Pas këtij vendimi, prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Apelit, e cila me vendimin nr.186, datë 03.04.2013, ka vendosur të shfuqizojë vendimin e shkallës së parë për pezullimin e ekstradimit të shtetasit Paro Laçi dhe ndryshimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” që gjyqtari kishte caktuar ndaj të arrestuarit.Për këtë arsye në 4 dhjetor të 2013, Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e gjyqtarit që liroi Paro Laçin.“Si rrjedhojë e vendimmarrjes së gabuar të gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Paro Laçi i është shmangur procedurave të ekstradimit, duke bërë të pamundur ekzekutimin e ekstradimit”,- thotë ministria e Drejtësisë.