Basha vijon sulmet ndaj Ramës, përkujton në Vlorë 23-vjetorin e krijimit të PD-së
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha vijoi turin e takimeve për 23-vjetorin e formimit të Partisë Demokratike duke u ndalur në Vlorë. Nga qyteti që votoi Ramën si depuetë, Basha sulmoi sërish kreun e qeverisë, duke u shprehur se ai nuk ka mbajtur premtimet e dhëna para zgjedhjeve të 23-qershorit. Basha tha se sot vendi po kalon një gjendje ekonomike tepër të vështirë si pasojë e vendimeve të gabuara që kjo qeveri pë ndërmerë.“Ramës nuk i falet dhe nuk mund t’ia falim që ka krijuar me opozitën e vendit të tij, në sytë e BE, një problem të krahasueshëm të gjykimit për vendin dhe për integrimin me atë që ka Serbia me Kosovën. Nuk i falet që ka ardhur në krye të qeverisë me frymën e revanshit, negativitetit, arrogancën, papërgjegjshmërisë dhe mbi të gjitha antiligji dhe antidemokracie sepse kur bie fjala për ligjin, kryeministrin mund ta gjeni në “xhungël”, kur bie fjala për respektimin e opozitës, mund ta gjeni rast pas rasti dhe në çdo rast në arbitraritet të skajshëm. Me këtë konfliktualitet, me këtë agresivitet, me këtë negativitet që padyshim buron nga pasiguria dhe paaftësia e tij për t’u siguruar shqiptarëve atë që premtoi me 23 qershor, Edi Rama po mbetet ditë për ditë, madje orë për orë mbrapa, mbrapa shqiptarëve, mbrapa Shqipërisë, mbrapa botës, mbrapa Europës”, u shpreh Basha.Basha ka akuzuar Ramën se po largon nga vendet e punës specialistë të trajnuar nga Bashkimi Europian duke i zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, kreu i PD-së fajësoi sërish kryeministrin si përgjegjësin e vetëm për refuzimin e statusit të vendit kandidat.“Sot është ora, këtu nga ky bastion i qëndresës dhe ringritjes së Partisë Demokratike, këtu nga Vlora, që ne demokratët t’i kushtojmë të gjithë energjinë pasionin dhe përkushtimin tonë një procesi tjetër, një procesi shprese, një procesi besimi, një procesi ringritjeje, pikë së pari brenda shtëpisë tonë të madhe, për tu bërë gati që shumë shpejt para vlonjatëve dhe para gjithë shqiptarëve, të dalim ashtu siç na kanë njohur në këto 23 vite, si rrezen e dritës që çan retë e përkohshme të dëshpërimit dhe ofron shpresën, perspektivën dhe vizionin pozitiv, vullnetin dhe energjinë pozitive për zhvillimin e vendit.Për ta bërë këtë, duhet të ndjekim disa prej shembujve të historisë tonë, të përqafojmë disa prej vlerave që kanë mbajtur bashkë këtë parti të madhe edhe në kohët më të vështira. Dhe njëra prej tyre është që të jemi më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin nga themeluesit, tek qëndrestarët, nga anëtarët e parë të PD-së, tek rinia demokrate e mrekullueshme e Vlorës që është shpresa dhe energjia e ringritjes së fuqishme të kësaj dege, këtu dhe anembanë Shqipërisë”, tha kreu i PD-së.Kjo deklaratë e kreut të Partise Demokratike, Lulzim Basha, erdhi gjatë vizitës së tij në Vlorë ku ishte i pranishëm në kuadër të 23-vjetorit të themelimit të kësaj dege në qytetin bregdetar.