Rrogat e administratës, Ministria e Financave: Kemi shpërndarë fondin

Ministria e Financave çel fondin për rrogat e administratës. Edhe pse data shënon 11 janar një pjesë e mirë e punonjësve të administratës nuk kanë marrë ende rrogën e muajit dhjetor.Vonesa për rrogën e këtij muaji është thuajse e përvitshme, por këtë radhë ka qenë më e madhe. Ministria e Financave deklaron se fondi është dorëzuar dhe tashmë i përket institucioneve që të tërheqin paratë në bazë të listëpagesave.Por aktualisht një pjesë e punonjësve të Ministrive, arsimtarëve dhe punonjësve të sistemit shëndetësor nuk i kanë marrë ende pagat e dhjetorit, duke pritur ditën e hënë kur data do të jetë 13 janar, pothuajse gjysma e muajit.Ministria e Financave shpjegon se shkak për vonesat janë bërë ditët e pushimit dhe se aktualisht po kryhen proçedurat. Dikasteri i financave vendosi si afat për dhënien e pagave fundin e kësaj jave.Ndërkaq vetëm 3 ditë më parë u zhvillua ankandi i bonove të thesarit, i pari për këtë vit, ku qeveria mori borxh tek qytetarët e saj një shumë prej 26.6 miliardë lekësh shumë kjo që mendohet të përdoret kryesisht për pagat.Paga e dhjetorit do të jetë e fundit, e cila do të merret në bazë të sistemit të taksimit të sheshtë.Duke nisur nga janari e gjithë administrata do të tatohet në bazë të shumës që merr, ata që kanë një rrogë prej 30 mijë lekësh të reja nuk do të tatohen, e ndërsa të gjithë ata që paguhen mbi këtë shumë do të tatohen në bazë të progresivitetit.