Pas qeverisë edhe presidenti kërkon hetimin e Carla del Pontes
Pas qeverisë edhe presidenti i vendit Bujar Nishani ka kërkuar hetim të pavarur për ish prokuroren e Gjykatës së Hagës Carla Del Ponte.Ndërsa ka përshëndetur sërish vendimin e Gjykatës për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, kreu i shtetit shqiptar thekson se dalja në pah e së vërtetës në lidhje me këtë çështje i shërben drejtësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe besueshmërisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.Ja deklarata e presidentit Nishani“Presidenti i Republikës së Shqipërisë gjen rastin të përshëndesë edhe një herë vendimin objektiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që shkarkoi ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij nga të gjitha akuzat, pas një procesi të drejtë dhe transparent”.“Zoti Haradinaj u përball dy herë me akuzat e ngritura nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës znj. Carla del Ponte. Por ajo që po përbën lajmin më shokues këto ditë janë deklaratat e fundit të prokurorëve të njohur të kësaj Gjykate, se akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash. Madje ajo nuk ka marrë parasysh këshillat e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompiuterikë dhe shkarkimin e tyre nga çështja”.Në këtë situatë, Presidenti i Republikës kërkon që institucionet ndërkombëtare përkatëse të kryejnë një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj në hetimin ndaj zotit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij” thuhet në deklaratën e presidentit.