Po Buxhet, Jo Rilindje
Në seancën e djeshme parlamentare, maxhoranca e paraqiti projektbuxhetin e vitit 2014 si më të mirin në histori, ndërsa opozita si më të keqin. Pa dyshim që buxheti 2014 është më i miri, por nuk është buxhet rilindjeje.Nga sa po dëgjojmë, kemi dy lajme: një të mirë dhe një të keq! Pavarësisht retorikës politike, tashmë të njohur, lajmi i mirë është se vitin 2014 parashikohet një rritje ekonomike në vlerë nominale për rreth 400 milionë euro. Lajmi i keq është se borxhi në vitin 2014 do rritet edhe me rreth 850 milionë euro. Sipas vetë relacionit të projektbuxhetit, rritja nominale për frymë do jetë vetëm 170 euro për gjithë 2014. Ndërsa fuqia blerëse e shqiptarëve (faktori i konvertimit sipas paritetit të fuqisë blerëse PPP) mbetet për të tretin vit i pandryshuar.Më 23 qershor 2013, një milion shqiptarë votuan kundër modelit ekonomik të PD, që në trendline po e çonte vendin në recesion. Nevoja për një kthesë të shpejtë dhe të fortë ekonomike e sociale i çoi votuesit shqiptarë të votojnë për “Rilindjen” e tyre. Rreth 170 euro më shumë (pa inflacion dhe borxhe publike) besoj se ende nuk është rilindje edhe për vetë maxhorancën. Edhe këto 170 euro janë të pasigurta, sepse vetë buxheti nuk është i qartë nga do dalin. Në relacionin e buxhetit 2014 të paraqitur, nënvizohet se rritja ekonomike do vijë nga: 1) pritshmëritë e zhvillimeve ekonomike në eurozonë; 2) konsumi dhe investimet brenda vendit, si dhe 3) pritshmëritë sa i takon ndryshimit relativ të kushteve të financimit të ofruara nga sistemi bankar për vitin e ardhshëm”!!! Për asnjërën nuk jepet kontributi që pritet të kenë në rritjen e PBB. Po t’i zëmë me radhë kuptojmë se: 1) referenca për eurozonën është thjesht pritëse dhe jo reaguese-përfituese. Edhe për një vit tjetër avantazhet konkurruese të vendit, si fuqia punëtore e lirë, kostot operacionale të ulëta, nuk shfrytëzohen si duhet. 2) konsumi dhe investimet private nuk është e sigurt se do stimulohen nga ulja e taksave. Në kushte krize dhe mungese shprese, ka rrezik që ulja e taksave të stimulojë kursimin në vend të konsumit dhe investimeve. Të paktën kjo ka ndodhur në shtete të tjera me kushte të afërta me Shqipërinë. 3) lidhur me kushtet e financimit, besoj se ato nuk do lehtësohen, megjithëse borxhi i keq mund të ulet ndjeshëm me pagesat e vonuara të qeverisë. Mosbesimi lidhet nga njëra anë me mungesën e hapësirave për të investuar, me rënien e kërkesës për konsum dhe shërbime. Nga ana tjetër, lidhet me kapacitetet e ulëta dokumentare, programuese dhe raportuese të sipërmarrjes, të cilat cenojnë rëndë transparencën aq të nevojshme për bankat dhe operatorët financiarë.Aq më pak në projektbuxhet nuk ka stimuj që mund të rrokin në një projekt të vetëm disa faktorë, aktorë, probleme e sfida. Mund të stimuloheshin programe, që p.sh. kombinonin rritjen e cilësisë së strehimit të shtetasve me nxjerrjen nga kriza të industrisë së ndërtimit, uljes së importeve energjetike nëpërmjet rritjes së eficiencës energjetike të banesave dhe pajisjeve të tyre, uljes së kredive të këqija të sipërmarrjes dhe rritjes së kredisë konsumatore etj.Duke marrë parasysh se në çfarë gjendje e mori kjo maxhorancë ekonominë dhe financat kombëtare, mund të themi se buxheti 2014 është më i miri. Për t’u kthyer në një buxhet rilindjeje të vërtetë menjëherë në janar 2014, institucionet duhet t’i rikthehen punës për të hartuar në bashkëpunim real me faktorët e interesit projektbuxhetin afatmesëm, të cilin e anuluan në shtator 2013. Ky projektbuxhet (afatmesëm) do jetë testi i vërtetë për aftësinë dhe kapacitetet programuese dhe menaxhuese të kësaj maxhorance. Deri atëherë, të kënaqemi me këtë buxhet dhe të lusim Zotin të ndihmojë Europën dhe Shqipërinë./Burimi: mapo.al/