Rritja abuzive e çmimeve, Bashkia paralajmëron: Do hapim treg alternativ

Task  forca e Bashkisë së Tiranës ka nisur monitorimin e tregjeve, për t’i prerë rrugën rritjes abuzive të çmimeve, me rastin e festave. Nisur nga eksperienca e suksesshme e dy viteve të mëparshme, ku ndërhyrja e Bashkisë bëri të mundur që qytetarët të kryejnë pazaret e fundvitit me çmime normale, nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo, drejtori i AMK, drejtori i Policise Bashkiake dhe përfaqësues të AKU ishin në tregun e njohur si ai i “Pazarit të ri”. Bozdo shprehu vendosmërinë e Bashkisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme, për t’i prerë rrugën rritjes abuzive të çmimeve.“Edhe këtë vit, Bashkia e Tiranës ka ngritur task-forcën për monitorimin e përditshëm të tregut ushqimor, të tregut të shumicës dhe pakicës, të grafikut të çmimeve në festat e fund-vitit. Krahas Policisë Bashkiake, drejtorisë së Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit që luan një rol kryesor, ne kemi edhe mbështetjen edhe të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, duke dhënë shembullin e një bashkëpunimi të pushtetit qendror me pushtetin vendor.Në mënyrë të përditshme do të monitorojmë çmimet, siç kemi filluar të bëjmë tashmë dhe do i publikojmë ato në faqen e internetit të Bashkisë së Tiranës, në faqen e AMK dhe do ua dërgojmë të gjitha mediave të specializuara, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale mbi lëvizshmërinë e çmimit. Për të gjithë tregtarët të cilët në mënyrë abuzive kanë ndër mend të ngrenë çmimet në fund të vitit, u bëjmë me dije se Bashkia e Tiranës tashmë e ka një zgjidhje, hapjen e menjëhershme të një tregu në qendër të Tiranës ku do të ofrohen produkte ushqimore si dhe marrjen e masave urgjente për të gjithë ata tregtarë që do të verifikohen se do abuzojnë me pozicionin e tyre dhe me çmimet për qytetarët e Tiranës” tha Bozo.Krahas çmimeve, Bashkia do të monitorojë edhe tregtimin e fishekzjarrëve, për t’i paraprirë çdo efekti negativ që mund të sjellë tregtimi i lëndëve plasëse, të rrezikshme në jetën dhe pronën e qytetarëve.“Nga ana tjetër, prej ditësh tashmë, kemi vendosur edhe për monitorimin e lëndëve plasëse që paraqesin rrezikshmëri në mënyrën e përdorimit të tyre, me pak fjalë të fishekzjarrëve të cilët kthehen në një shqetësim për qytetarët e kryeqytetit. AMK bashkë me strukturat tona ka në monitorim 4 pikat kryesore të tregtimit të këtyre produkteve të rrezikshme nëse nuk manovrohen në mënyrën e duhur. Këto 4 pika janë: tregu çam, pika ku ndodhemi aktualisht (tregu tek sheshi “Avni Rustemi), tregu tek Medreseja dhe pak më tutje, tregu tek “Stacioni i Trenit”.  U bëjmë thirrje ndërkohë edhe organeve qendrore që t’i bashkëngjiten aksionit tonë, organeve të specializuara qendrore, në mënyrë që të bllokohen që në hyrjen e kufirit të Shqipërisë, të gjithë materialet eksplozive, të tipit fishekzjarr që janë të rrezikshme për përdorim civil dhe në mënyrë jo profesionale. Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje tregtarëve që do të monitorojmë në veçanti kushtet e tregtimit të tyre, sigurinë, kartën teknike që shoqëron produktin si dhe mënyrën se si ai tregtohet” shtoi ai.Bozdo ka shtuar më tej se ky aksion do të rezultojë i suksesshëm, vetëm nëse qytetarët e Tiranës, të gjithë klientët e kuptojnë rrezikshmërinë e tregtimit të këtyre produkteve dhe bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës dhe me strukturat e tjera të specializuara, duke denoncuar rast pas rasti të gjitha rastet e abuzivitetit apo mungesës së tregtimit të këtyre produkteve jashtë kritereve teknike.