Basha takim me Shoqatat e bashkive: Buxheti gjymton autonominë vendore

Kryetari i bashkisë së Tiranës ka zhvilluar sot një takim me shoqatën e Bashkive ku në fokus ka qënë buxheti dhe paketa fiskale.Ndërsa e ka cilësuar buxhetin si katastrofik, Basha theksoi se ky buxhet është një terr informativ sa i përket njohjes në mënyrë institucionale të buxhetit nga qeverisja vendore."Vijmë në këtë mbledhje në kushtet  e një anomalie që ka vështirësuar jo pak edhe normalitetin e diskutimit tonë për ligjin më të rëndësishëm të vitit. Qeveria nuk ka bërë asnjë konsultim, asnjë lloj komunikimi  me shoqatat dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor për këtë projektbuxhet dhe paketën fiskale që e shoqëron. Edhe pse këtë e kërkon në mënyrë ekslicite standarti europian i bashkëpunimit midis pushtetit qëndor dhe pushtetit vendor edhe pse në paketën fiskale dhe projektbuxhetin janë planifikuar ndërhyrje dhe ndryshime thelbësore, dramatike në dëm të pushtetit vendor. Më saktë një gjymtim i këtij pushteti që i dëmtohet autonomia fiskale që është themeli dhe kushti i autonomisë vendore" theksoi Basha.Gjithashtu, kryebashkiaku Basha ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama se ka ndërmarrë vendime drastike kundër pushtetit vendor."Jemi të gjithë përballë qeverisë e cila është e vetme në arbitralitetin e saj, e vetëm në frikën e saj për t`u përballur me sipërmarrjen dhe opinionin publik. Është e vetme në paaftësinë e saj për të mbrojtur këtë projektbuxhet të katastrofës ekonomike dhe financiare përballë argumentave të gjithë grupeve të interesit, të organizatave, të shoqatave siç janë edhe shoqatat tona që përfaqësojnë të zgjedhurit vendor.Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar që kryeministri ka përshtatur në sjelljen e tij edhe shprehjen “ju jeni të lirë të flisni, unë jam i lirë të mos ju dëgjoj”. Ky është standarti i tij, monologue mosdëgjimi, shurdhëria. Model antidemokratik që mohon dhe lufton lirinë në një formë tjetër. Kaq mund të bëjë në kushtet e lirisë dhe demokracisë së hapur dhe po e bën. Ne nuk dekurajohemi, nuk sprapsemi, përkundrazi ne ushtrojmë lirinë pasi ne kemi liri. Ai ka mosdëgjimin, shoqërues i qeveritarit në rrugën e dështimit" shtoi Basha.Për tre arsye madhore paraqitur edhe në progres-raportin e BE në tetor të këtij viti, shoqata e bashkive e kundërshton këtë paketë. Së pari nuk ka më decentralizim por centralizim, nuk ka më konsultim por "0" transparencë, nuk ndodh më bashkëpunim mes qeverisjes vendore dhe asaj lokale. Sepse me këto reforma qytetarët do të kenë më pak projekte për të përmirësuar jetesën e tyre, si rrugë, ujësjellës apo politika sociale për njerëzit në nevojë.