100 ditët e politikës së jashtme të qeverisë “Rama”

Është bërë një normë e gjithëpranuar që 100 ditët e para të çdo qeverie të ndiqen në heshtje për t’i dhënë kohë për realizimin e programit të saj. Pavarësisht se është një periudhë e shkurtër, koha është e mjaftueshme për të qartësuar linjat kryesore të programit të saj. Si qeveri që pretendon të kryejë një rilindje, në një tranzicion të gjatë dhe të lodhshëm, qeveria “Rama” e kishte të detyrueshme të prekte edhe politikën e jashtme, e cila përgjithësisht qëndron konservatorisht në linja të përcaktuara qartë nga orientimi i shoqërisë drejt demokracisë perëndimore dhe integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.Një vlerësim i politikës së jashtme mund të bëhet në tri drejtime kryesore: në vizion, në strategji dhe strukturë. Lidhur me vizionin nuk vihet re asgjë e re dhe kjo për arsye objektive dhe subjektive. Objektive për vetë krizën financiare–ekonomike që po kalon vendi, e cila limiton mundësinë për të realizuar një politikë të jashtme aktive dhe kthyer politikën e jashtme në një instrument për të rritur influencën dhe prestigjin e vendit, si dhe për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Subjektive për vetë konceptimin dhe formimin e ekipit të politikës së jashtme në mungesë të njohjes dhe eksperiencës së nevojshme për të sjellë ndryshim cilësor. Moskombinimi i dijes me eksperiencën, nisur nga ideja për rinovim dhe shtim të energjisë rinore, ofron vetëm përshtatje me strukturat e reja të ngritura, për t’i pasur lehtësisht të kontrolluara.Në strategjinë e politikës së jashtme, në një plan të përgjithshëm, qeveria “Rama” vazhdon në linjat tradicionalisht të përcaktuara. Në një përpjekje për t’u dalluar nga paraardhësit me një individualitet të ri, përveç tezës “zero probleme me fqinjët”, ajo zgjeron partneritetin strategjik me një partner të ri – Turqinë. Krijimi i një trekëndëshi partneriteti strategjik në rajon, në shikim të parë nuk është një surprizë, për vetë faktin se Shqipëria e ka konsideruar Turqinë si një vend mik, fuqi rajonale në ekspansion dhe një vend që ka shprehur në mënyrë konstante qëndrime pozitive ndaj Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Krijimi i këtij partneriteti të ri, që me shumë entuziazëm ministri i Jashtëm e citon si “vijë të PS” e si dimension të ri të strategjisë së politikës së jashtme të qeverisë dhe jo si një zgjidhje pragmatiste të kohës, nuk mund të mos krijojë disa çështje sensibilizuese për politikën e jashtme shqiptare.Së pari, në vazhdimësinë e orientimit perëndimor të vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Turqia, pavarësisht se është anëtare e NATO-s, gjithmonë e më tepër po orientohet në ngritjen e një fuqie rajonale që vepron në hapësira të gjera gjeografike, si Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Ballkani, e mbështetur gjithmonë e më shumë në influencat neo-otomane-islamike. Në strategjinë e kohëve të fundit të Turqisë, theksohet se “Bosnja dhe territoret shqipfolëse përbëjnë hapësira gjeografike të influencës turke në Ballkan, hapësira me të cilat ndajmë të njëjtën kulturë historike”. Afrimi në një partneritet strategjik, pa përcaktuar qëllimet dhe çfarë duhet të arrijmë, lë vend për interpretimin se partneriteti strategjik nuk është një zgjidhje pragmatiste e momentit, por një linjë e re alternative e politikës së jashtme. Këto duhet të sqarohen për të mos i përcjellë sinjale të gabuara Bashkimit Europian dhe dëmtuar procesin e integrimit të vendit tonë. Nevoja e sqarimit të raportit midis interesave momentale të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe vijimit të pakontestueshëm proeuropian të saj, bëhet edhe më imperative për shkak të vonesës prej disa dekadash të vetë procesit të integrimit të Turqisë në BE. Kurrsesi nuk do të ishte në interesin e Shqipërisë përdorimi i pragmatizmit të saj si mjet për rritjen e presionit turk për vetë BE-në. Në fund të fundit, kjo do të vështirësonte rrjedhën normale të procesit integrues për të dyja vendet, madje edhe për rajonin e Europës Juglindore.Së dyti, partneritetet strategjike veprojnë të shtrira në kohë dhe kanë qëllime të caktuara qartësisht. Partneriteti strategjik me Italinë dhe Greqinë u krijuan si qëndrime realiste të dyanshme të një politike të jashtme që zhvillohej në formën e një spiraleje ngritëse partneritetesh ku fillonte me rajonin (Itali, Greqi), vazhdonte me Europën (Gjermani-Francë) dhe definohej me dy partnerët kryesorë strategjikë (SHBA-BE). Krijimi i partneriteteve me Italinë dhe Greqinë përcaktoheshin nga synimi dhe qëllimi i përbashkët, ai i integrimit euroatlantik. Në rastin që Turqia “ruan distancën” apo i largohet projektit të BE-së, cilat do të jenë linjat dhe qëllimet e përbashkëta të këtij partneriteti me Shqipërinë?Së treti, shfrytëzimi racional i iniciativave rajonale. Qeveria e re e shikon bashkëpunimin me Turqinë si një mundësi më shumë për përfitimin nga iniciativat rajonale dhe projektin e Mesdheut. Shqipëria është aleat dhe vetëm 70 milje distancë nga Italia, e cila së bashku me Francën dhe Spanjën janë arkitektë të iniciativës së Mesdheut. Çfarë e largon Shqipërinë nga një bashkëpunim me Italinë, Gjermaninë, që ishin dhe mbeten kontribuuesit kryesorë dypalësh dhe shumëpalësh gjatë dy dekadave të fundit, por kërkon lidhje të reja në kufi të Europës së Bashkuar? Cilat janë interesat strategjike të kësaj lidhjeje, çfarë fshihet pas tyre, dhe çfarë do të përfitojë më shumë Shqipëria?Së katërti, pozicioni i Shqipërisë ndaj çështjeve kryesore të zhvillimeve botërore. Shqipëria është e pozicionuar qartë gjatë periudhës së tranzicionit me linjën e vendeve të BE-së dhe SHBA-së për çdo qëndrim ndaj zhvillimeve botërore. Turqia, si fuqi e re rajonale, ka zhvilluar kohët e fundit një linjë të politikës së jashtme në interes vetëm të fuqizimit dhe rolit të saj të ri në rajon. Ajo ka treguar qëndrime të kundërta me SHBA-në në një sërë çështjesh, si Irani, Iraku, Izraeli, ka preferenca të kundërta në Palestinë midis autoritetit të Palestinës dhe Hamas-it, qëndrime të kundërta me SHBA-të mbi zhvillimet në Siri, Egjipt etj. Partneriteti strategjik i Shqipërisë me Turqinë ka nevojë të përcaktojë qartë dhe të bëjë transparente të gjitha qëndrimet e përbashkëta mbi zhvillimet globale.Së pesti, partneritet në funksion të vlerave të demokracisë dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Turqia, pavarësisht se është dhe mbetet një vend mik i Shqipërisë, është një vend me sistem autoritar dhe me tendenca të largimit nga shteti sekular i krijuar nga Ataturku. Mbi 76 gazetarë janë në burg dhe liria e shprehjes është e cunguar. Kur flitet për partneritet vlerash në krijimin e partneriteteve strategjike, qeveria duhet të vlerësojë shkallën e demokracisë së çdo vendi dhe vlerat e shtuara nga ky partneritet.Politika e jashtme me Turqinë duhet parë në dinamizmin e saj, por dokumenti strategjik, që pritet të nënshkruhet së shpejti mes dy vendeve, duhet të jetë sa më transparent, për të kuptuar dhe thelbin e këtij partneriteti. Ndoshta paragjykojmë pak shpejt, por takimi i fundit Erdogan-Rama-Thaçi la një shije të hidhur për pozicionimin e ardhshëm të vendit tonë në këtë ansambël folklorik me ngjyra neootomane.Gjatë këtyre 100 ditëve janë ridimensionuar pozitivisht lidhjet me aleatët e vjetër rajonalë, Italinë dhe Greqinë. Shqipëria duket e lumtur që Italia mbetet partnere e saj, dhe vizitat nuk mungojnë, por pak janë iniciativat për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe. Italia do të marrë presidencën e BE-së dhe 2014 do të jetë viti i Mesdheut, por ende nuk kemi parë strategjinë e Shqipërisë për të qenë pjesë aktive e kësaj iniciative.Në marrëdhëniet me Greqinë vihet re një gjendje pritshmërie, e cila vjen ose nga perceptimi se Greqia është në krizë financiare, ose nga mungesa e përgatitjes për t’u ballafaquar me problematikën aktuale serioze në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ajo që vihet re në këto ditë të para është veprimi emocional, i shtyrë nga faktori politik i brendshëm, për të evidentuar problemet. Shprehja “zero probleme me fqinjët”, shprehje e huazuar nga strategjia e Davutoglu-së, por e përdorur shpesh nga Kryeministri Rama, flet me tepër për një politikë të tërhequr sesa për një politikë aktive për të zgjidhur problemet e mbetura pa zgjidhje midis dy vendeve. Çështja e toponimeve, delimitimit të kufirit detar etj., do të përfshihen dhe do të jenë të pranishme në axhendën e gjatë diplomatike midis dy vendeve dhe zgjidhja e tyre do të përbëjë një arritje të politikës së jashtme shqiptare. Për më tepër, këto çështje janë në krye të axhendës së qeverisë Greke në drejtimin e BE-së që fillon në janar 2014.Lidhur me marrëdhëniet me Kosovën, qeveria “Rama” duket se po i mban premtimet e programit të saj. Pavarësisht se sa shpejt do të hartohet dhe nënshkruhet traktati i miqësisë midis dy vendeve, larg paragjykimit nëse është kjo lëvizja e duhur, prezenca e krerëve të qeverisë shqiptare është më se e dukshme në Kosovë. Për më tepër, Kosova është një terren ku politika e jashtme shqiptare mund të ketë rol protagonist, sigurisht edhe në funksion të asaj që do të kapitalizojë lidershipi shqiptar nga ky rol. Përkrahja ndaj Kosovës është e nevojshme për të krijuar stabilitet pas marrëveshjes në Bruksel midis Thaçit dhe Daçiç. Shtrirja dhe zgjerimi në të ardhmen i marrëdhënieve me Serbinë do të përbëjë një hap pozitiv për stabilitetin, paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan. Marrëdhëniet me Maqedoninë dhe Malin e Zi mbeten të pandryshuara në rrjedhën e tyre normale, pa dalluar asnjë lëvizje të veçantë. Në marrëdhëniet rajonale nuk vihet re asnjë iniciativë për të rritur rolin e faktorit shqiptar në Ballkan.Marrëdhëniet me SHBA dhe BE, si dy partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë, mbeten në retorikën e fortë të qeverisë dhe në fokus të politikës shqiptare. Por politika nuk është vetëm PR (marrëdhënie me publikun). Mungesa e eksperiencës dhe transparencës, si dhe protagonizmi sollën si rezultat një impas negativ me SHBA lidhur me çështjen e armëve kimike të Sirisë, impas që mund të influencojë në marrëdhëniet midis dy administratave. Marrëdhëniet me BE, sado prioritare për popullin shqiptar, vazhdojnë të mbeten të varura nga klasa politike shqiptare. Duket se politika shqiptare ndihet më komode në lirinë e saj të veprimit, sesa nën kontrollin e familjes europiane. Kjo shpjegon dhe qetësinë reaguese të faktorit shqiptar ndaj një procesi krejtësisht të tejzgjatur. Pavarësisht se Kryeministri Rama është fokusuar në marrëdhëniet me Brukselin dhe vetë struktura qeveritare e ka dubluar Ministrinë e Integrimit (Ministria e Jashtme është më e përfshirë te problemet e integrimit sesa çështjet e jashtme), marrja e statusit të vendit kandidat vazhdon të mbetet një sfidë e vështirë.Realizimi i programit sigurisht kërkon dhe një ristrukturim të shërbimit diplomatik në funksion të prioriteteve të politikës së jashtme. Diplomacia ekonomike, roli aktiv në diplomacinë shumëpalëshe dhe ballafaqimi me problemet globale lindin nevojën e funksionimit të misioneve diplomatike më të strukturuara, më profesionale dhe me objektiva të qarta pune. Mungesa e fondeve, por edhe ekipeve profesioniste të planifikimit dhe strategjisë ka sjellë si rezultat reduktimin dhe mbylljen e disa ambasadave dhe shkurtimin e personelit të tyre pa arritur në konfigurimin e një strukture diplomatike efikase dhe të aftë për të realizuar objektivat e kohës.Gjatë 100 ditëve të para, përveç një takimi me Kryeministrin italian, të Malit të Zi dhe Maqedonisë, Kryeministri Rama ka munguar në takimet me homologët e vendeve kryesore europiane. Takimet me Kryeministrin David Cameron, takim që nuk u pasqyrua as në faqen zyrtare të Kryeministrit të Britanisë së Madhe apo me Presidentin e Austrisë, i cili për 6 muaj takohet 3 herë me kryeministrin Shqiptar, janë më shumë në funksion të PR për konsum të brendshëm, sesa të rezultateve konkrete në zbatim të objektivave të qeverisë. Mospërgatitja e Ministrisë së Punëve të Jashtme për një axhendë aktive të Kryeministrit në lobimin për marrjen e statusit si vend kandidat për në BE, u tregua qartë dhe në skepticizmin e 5 vendeve europiane për statusin.Pavarësisht se është një periudhë e shkurtër, në këto 100 ditë u vu re që diplomacia shqiptare është ende në procesin e konsolidimit të vetvetes. Ndihet një frymë pozitive premtuese për ta depolitizuar shërbimin e jashtëm dhe vepruar për të mos dëmtuar interesat e Shqipërisë në përfaqësimin e saj në botë. Megjithatë, në pamundësi për të realizuar plotësisht programin e Rilindjes, vihen re shenja të diletantizmit, të mungesës së transparencës, të komunikimit me shprehje të cinizmit ekstrem, mungesës së origjinalitetit dhe huazimit të elementeve strategjike jashtë kontekstit shqiptar, si dhe inkoherencë në qëndrimet e qeverisë për politikën e jashtme.Si konkluzion, rezultatet e 100 ditëve të para në politikën e jashtme shqiptare mund të përmblidhen:- Në kontradiktën midis dëshirës për të realizuar një politikë të jashtme aktive multidimensionale dhe mungesës së vizionit për realizimin e saj- Politika e jashtme punon më shumë për imazh dhe PR, sesa për realizimin e objektivave të saj.- Mungesa e një strategjie të qartë për rritjen e faktorit shqiptar në rajon në përshpejtimin e integrimit europian./Burimi: mapo.al/