Vlerësime për biznesin, Rama: T’u japim të rinjve një model suksesi përmes sipërmarrjes
Kryeministri Edi Rama ka garantuar sipërmarrjen se qeveria do të vazhdojë mbështetjen ndaj tyre. Duke folur në eventin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, në të cilin u ndanë çmime për sipërmarrësit, Rama i mëshoi rëndësisë së vlerësimit të sipërmarrësve si promotorë të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.“Nxitja e duhur në rrugën e sipërmarrjes bëhet më e lehtë në rast se shoqëria i sheh, i njeh dhe i admiron njerëzit e suksesit përmes sipërmarrjes. Ne kemi shumë nga këto festivalet, por s’kemi asgjë që vlerëson sipërmarrësit dhe sipërmarrjen dhe besoj si një hap i parë, kjo mbrëmje i ka plotësuar dëshirat tona. Me siguri vitin e ardhshëm i kemi mundësitë që bashkë me ju ta organizojmë më mirë, ta kthejmë në traditë. Kur rezistoi Festivali i Këngës, unë besoj se kjo mund të rezistojë edhe në shumë qeveri”, tha Rama.Gjatë dhënies së çmimit për punëdhënësim më të mirë të vitit, Rama tha se ka ardhur koha që të rinjtë të nxiten drejt suksesit nëpërmjet sipërmarrjes."Jam i kënaqur që më kanë lënë mua të nxjerr nga zarfi fituesin për çmimin “Punëdhënësi i vitit 2013”. T’ju them të drejtën, me gjithë respektin dhe, padyshim, admirimin për të gjithë ata që pashë në ekran, emri që sapo lexova ishte dhe emri që unë, kur po shihja ekranin, më bëri më shumë përshtypje dhe mendova - ishalla fitojnë këta! Të jeni të sigurt që nuk kam ndikuar te çmimet, por ka të bëjë me atë grupin e djemve të rinj dhe vajzave të reja që kanë ndërtuar kompaninë “Intercom Data Service”. Me bindjen që në 4 vitet e ardhshme sipërmarrja do të zgjatet dhe do të bëjë gjithmonë e më shumë sukses"tha ai.Çmime vlerësimi për aktivitetin e kryer i janë dhënë disa kompanive në prodhimin fason, në sektorin e turizmit, gruaja sipërmarrëse shqiptare, si dhe punëdhënësi më i mirë i vitit 2013.