MB: Grup Këshillimor i shoqërisë civile për luftën anti-trafik të qënieve njerëzore

Në një tryezë të iniciuar nga Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës Kundër Trafikimit të Personave, njëkohësisht Zëvendësministre e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, u vendos sot ngritja e një Grupi Këshillimor nga Shoqëria Civile, me fokus të veçantë në adresimin e çështjeve të luftës kundër trafikimit të personave.Ky Grup Këshillimor do të shërbejë edhe si një instrument monitorimi dhe kontrolli i dyfishtë për veprimtarinë antitrafik të institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore. Gjithashtu, do të ketë si objekt të punës edhe orientimin e politikave dhe energjive të përbashkëta, sipas prioriteteve dhe nevojave reciproke.“Bashkëpunimi me shoqërinë civile në të gjithë veprimtarinë e MPB-së, në veçanti për çështjet e parandalimit dhe luftës kundër trafikimit të personave mbetet një parim dhe filozofi pune”, tha zëvendësministrja Gjebrea.Diskutanët theksuan se forcimi dhe koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta, është një kusht për të arritur sukses në luftën kundër trafikimi të personave. Duke njohur aftësitë dhe mundësitë e aktivistëve të shoqërisë civile,është rënë dakord për krijimin e hapësirave për këta të funditsi mundësi për kapacitete të shtuara dhe alternativa mendimi dhe veprimi, si edhe për shkëmbimin e informacionit të vazhdueshëm.“Kjo strukturë besohet se do të shmangë problematikat dhe vështirësitë e krijuara në bashkëpunimin e shoqërisë civile me institucionet shtetërore duke garantuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe konstruktiv”, thanë përfaqësues të OJF-ve.Grupi Këshillimor i Shoqërisë Civile do të ketë 11-15 anëtarë, nga organizata që ushtrojnë aktivitet në kujdesin ndaj fëmijëve; që ofrojnë shërbim për viktimat e trafikut, apo organizata aktive në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.Ministria e Punëve të Brendshme do të mbështesë funksionimin e Grupit Këshillimor, përfshirë edhe lehtësimin e komunikimit me të gjitha agjencitë shtetërore dhe jo-shtetërore.