Grabit dhe djeg apartamentin, policia zbardh ngjarjen te “Rruga e Dibrës”

Zjarri që dogji ditën e dielë një apartament në “Rrugën e Dibrës” nuk ka qenë aspak aksidental, por një mënyrë për të mbuluar një grabitje. Ky është përfundimi i arritur nga forcat e policisë së Tiranës, të cilët kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes.Policia ka arrestuar për ngjarjen Maringlen Gjonin, i cili dyshohet se fillimisht ka grabitur një shumë prej 15 milion lekësh në banesën që ndodhej në katin e 5 të pallatit dhe më pas i ka vënë flakën për të zhdukur gjurmët.Mësohet se në momentin e arrestimit, Gjonit i janë gjetur edhe një sasi lekësh të grabitura në banesën tashmë të djegur gati plotësisht. Identiteti i familjes që jetonte në apartament nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, ndërsa besohet se kanë qenë këta të fundit që duhet të kenë inicuar hetimin mbi këtë pistë për shkak të zhdukjes së sasisë së konsiderueshme të parave.Ngjarja në fjalë u shënua në një apartament në katin e pestë të një kompleksi banimi në rrugën e Dibrës duke alarmuar banorët, policinë dhe zjarrfikësit. Për të vënë në kontroll flakët u dësh ndërhyrja e disa forcave zjarrfikëse dhe evakuimi i banorëve të pallatit të rrëzikuar nga flakët apo shpërthimi i mundshëm i bombolave të gazit që ndodheshin në apartament.Akoma më i vështirë ishte operacioni i zjarrfikësve për të shpëtuar dy banorë të pallatit që mbetën të bllokuar brenda ashensorit të pallatit.