Basha: Bilanci i qeverisë "Rama", negativ. Shqiptarët sot jetojnë më keq
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi si negativ bilancin e kabinetit “Rama” gjatë 100 ditëve të qeverisjes së tij. Në një konferencë për shtyp, Basha theksoi se gjatë këtyre 100 ditëve të qeverisjes, shqiptarët ndihen më keq."Sot kjo është e vetmja qeveri në botë që duke shënuar 100 ditëshin nuk mund të thotë dot se çarë ka bërë por se çfarë ka zhbërë. Duke u sjellë si një formacion pushtues ekzekutivit të edi ramës i vjen era barot dhe nuk ka asgjë të mirë për të shënuar. 100 ditë nuk janë shumë por janë të mjaftueshme për të dhënë një shenjë pozitive, një frymëzim, një akt çlirimi që do të sillte një frymëzim në ekonomi apo një kurs zhvillimi. E kundërta ka ndodhur. Çdo shqiptar ndihet dhe jeton sot më keq përveç qeveritarëve dhe më e rënda është se Edi Rama ka goditur shpresën e tyre" tha Basha.Rama i nisi 99 ditët dhe po i mbyll me kodin e heshtjes, tha shefi i demokratëve, ndërsa akuzoi kundërshtarin e tij politik se po nënshtron çdo institucion të pavarur.“E nisi dhe e mbylli me kodin e heshtjes. E nisi me shkelje të ligjit dhe po e mbyll me shkelje. E nisi me kërcënime dhe po e mbyll me shantazhe. Premtoi në fushatë rend dhe siguri, por policinë e ka bërë një detashment partiak. Brenda një nate pezulloi dhe përjashtoi strukturën e luftës ndaj krimit ekonomik. Pasojat janë të qarta. Krimi po rritet dhe kërcënon çdo qytetar, banka, spitale, shkolla, deri në ambientet e policisë dhe të burgjeve të sigurisë së lartë. Edhe lëvizja e lirë është në pikëpyetje.Rama në këto ditë sulmoi presidentin,i janë sulur KLD-së, AMA-s, ILDKP-së. Prishi konsensusin për administratën dhe një amendament antiligjor u hodh poshtë nga Kushtetuesja por ai sërish vazhdon. E mori mësimin nga gjykata, por ai vazhdon duke bërë largime, duke punësuar militantë dhe administratorë të kompanive private”, deklaroi Basha.Kreu i PD akuzoi kundërshtarin e tij politik për prishje të marrëdhënieve me partnerin strategjik SHBA, sikundër nuk ka hezituar t’ia faturojë përgjegjësinë direkte për shtyrjen e statusit kandidat për në qershor.“Shqipëria nuk e kalon klasën nëse nuk e kalojnë kryeministri dhe qeveria e saj.Shqipëria nuk pranohet nëse nuk pranohen kryeministri dhe qeveria e saj. Ky është rregulli që mbështet në logjikën e shëndoshë demokratike se qeverinë e zgjedh populli. Vetëm Rama nuk ka kuptuar se shtyrja është një vendim i dhimbshëm i vendeve mike, që na duan brenda BE-së dhe jo jashtë tij, një vendim i diktuar nga dyshimet e mëdha që ka krijuar qeveria e tij në harkun e tre muajve. Sepse standardet e tij të qeverisjes nuk janë standardet e Europës. Sepse qeverisja e tij nuk është demokratike. Standardi i Europës është sundimi i ligjit. Standardi i Ramës gjithë këtë periudhë ka qenë dhe vazhdon të jetë “ligji jam unë”.Standardi i i Europës është ndarja demokratike e pushteteve. Standardi i Ramës është sulmi ndaj institucioneve të pavarura, spastrimet me mendësi pushtuesi në administratën publike për të venë atje klientelen e tij politike-tarafore e tarifore. Standardi i Europës janë zgjedhejt e lira. Standardi i Rama-Metës është blerja e zgjedhjeve.Standardi i Europës dialogu, standardi i Ramës është monologu dhe arbitrariteti dhe shpërfillja e opinionit publik. Standardi i Europës është trasparenca dhe përgjegjësia, standardi i Ramës është arroganca dhe ku rafsha mos u vrafsha.Standardi i Europës është drejtësia e pavarur dhe ndëshkueshmëria e mbështetur në ligj; standardi i Ramës është hakmarrja e ulët politike, nxjerrja e inateve meskine personale me mjetet e shtetit. Me ketë listë të kontrastit gjigandesk me standardet europiane Edi Rama mund të na garantojë vetëm për një gjë; që nuk na çon asnjë hap përpara drejt Europës, por vetëm prapa, gjithnjë e më larg saj. Kurrë më parë marrëdhëniet tona me mikun dhe partnerin historik e strategjik, ShBA, nuk kanë pasur një kurs zhgënjimi të këtillë, si këtë herë, me krizën e vëtëprovokuar për armët kimike siriane. Çdo qeveri, demokrate a socialiste ka qenë e hapur, e ndershme dhe fjalëmbajtur. Kur situata diktonte JO, Shqipëria ka thënë jo të arsyeshme. E kur kemi thënë PO, i kemi qëndruar asaj deri në fund, duke marrë të gjitha masat sipas rastit konkret. Këtë herë, Kryeministri tha një PO, pa menduar seriozitetin e çështjes dhe mundësitë e vendit, por vetëm duke përjetuar ëndrrat e tij të dimensionit personal ndërkombëtar. Në ditën e fundit, i vënë para përgjegjësisë nga populli i vet, që e la në errësire, i frikur nga humbja e pushtetit ende pa e shijuar, tha JO-në e turpshme, duke braktisur frontin e luftës së çarmatosjes me paqe të regjimit të Asadit, siç i pëlqente ta thoshte e duke mallkuar për këtë, popullin e vet me në krye opozitën. Natyrisht që, ne e njohim dhe e dimë se ai kështu do të sillej, dhe e paralajmëruam. Nuk është se e paragjykuam pasi e kemi parë se sa pak di, e sa i papërgjegjshëm është në marrëdhëniet ndërkombëtare që i trajton si raportet në partinë e tij. Papërgjegjshmëria dhe amatorizmi i tij nisen nga rajoni e vijuan deri në OKB duke prekur dhe cënuar rëndë marrëdheniet me miqtë dhe bashkëpunëtorët historik të Shqipërisë” tha Basha.Basha deklaroi më tej se paketa e re fiskale dhe buxheti i ri i shtetit janë hapat e ardhshme në rrënimin e plotë të ekonomisë shqiptare, ndërsa ai kritikoi emërimet nepotike në të gjithë segmentet e administratës dhe mungesën e plotë të transparencës në veprimet e kabinetit.“Qeveria po mbyll 99 ditët e saj me paketën fiskale dhe buxhetore të 2014.Se çfarë pakete fiskale e buxhetore do të ishte u pa që kur me akt normativ, që në ditët e para, ulën planin e të ardhurave me mbi 20% dhe gropën e thelluar qëllimshëm e mbushën me borxh. Pasi folën për 600 deri 1 miliard euro “borxh të fshehtë”, lidhen një kontratë të turpshme për një gjoja auditim, auditim të standardit ndërkombëtar, sipas relacionit shpjegues për Kuvendin, por që doli se ishin veçse disa veprime aritmetike të denja për vitin e tretë të shkollës së mesme. Zhbënë e vazhdojnë te zhbëjnë institucione të rëndësishme të shtetit për mbështetjen e sipërmarrjes. Bllokuan dhe/ose anuluan dhjetëra projekte te partneritetit publik e privat në energjetike dhe industri të tjera zhvilluese, prodhuese e punësuese duke shkelur me të dy këmbët, njëanshmërisht e brutalisht, të drejta të fituara.Paketën fiskale e përgatitën ne fshehtësi dhe e dorëzuan 45 dite me vonese ne Kuvend. Komunitetit të biznesit, te cilit aq shume iu përgjëruan para zgjedhjeve i mbyllen derën.99 diteshin e tyre po e mbyllin me këtë pakete fiskale e buxhetore sa të rrezikshme po aq të paturp taksash te rritura, borxhi të tejfryrë dhe shpenzimesh pa vlerë. Kryeministri premtoi lehtësim fiskal për 95% të taksapaguesve, pretendon se e realizoi me tejkalim ne 97% e ne fakt rendon me taksa, te drejtpërdrejta apo konsumi 100% te taksapaguesve ne qytet e fshat; rrogëtare e sipërmarrës; sipërmarrës te vegjël, te mesëm e të mëdhenj; te punësuar, te vetëpunësuar, te papune a pensioniste; te varfër, me pak të varfër; a jo të varfër; të pastrehë, me një shtëpi a me më shumë, këdo që lëviz me makinë, me furgon a autobus, këdo qe freskohet me një birre, qoftë edhe vendi, e që dredh një cigare”theksoi ai.