Mirditë, gjendet i vrarë në pyll 56-vjeçari
Një 56- vjeçar është gjendur i vrarë me armë zjarri në pyllin afër fshatit ku jetonte në Malaj të Mirditës. Viktima Mark Leka është pikasur nga dy barinj të cilët kanë parë trupin e 56 vjeçarit rreth orës 19:00 të mbrëmjes së të shtunës, dhe menjëherë kanë njoftuar policinë e Rrëshenit.Policia e cila ka mbërritur menjëhere në vendin e ngjarjes ka bërë të ditur se 56- vjeçari Leka është goditur dy herë me armë zjarri në kokë çka i ka shkaktur edhe vdekjen e menjëhershme.Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar disa persona të cilët po merren në pyetje, ndërsa familjarët e 56 vjeçarit kanë bërë të ditur se ai ishte larguar nga shtëpia për të prerë dru në malin afër fshatit, punë të cilën e kryente çdo ditë.Uniformat blu të Mirditës kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet për ngjarjen, duke marrë edhe dëshmitë e dy barinjëve, por ata kane bërë të ditur se nuk kanë dëgjuar krisma arme.Ndërkaq policia po heton në dy pista në lidhje me ngjarjen atë të vrasjes nga pakujdesia si dhe me ndonjë zënkë ku mund të jetë përfshirë viktima.