Presidenti Bujar Nishani organizon ballo me rastin e festave të fundvitit
Nga OraNews Përditësimi i fundit 21 Dhjetor 2013, 20:13
Në prag të festave të fundvitit presidenti i Republikës organizoi një ballo shqiptare ku ishin të ftuar personalitetet më të larta të vendit.
Në aktivitetin e organizuar në “Pallatin e Kongreseve”, morën pjesë, politikanë, artistë, njerëz të medias, mes tyre edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të fushave të tjera.
Në fjalën e rastit, presidenti i republikës, Bujar Nishani bëri thirrje për të luftuar krimin e korrupsionin si dhe ruajtjen e vlerave të shtetit dhe popullit shqiptar.
“Nuk bëjmë gabim të këmbejmë edhe 2 fjalë. Balloja është një relaks por edhe kohë për reflektim dhe për këmbim idesh nga më të ndryshmet. Pse jo edhe për një çështje e cila është në mendjet e të gjithëve dhe unë lus vëmendjen tuaj sonte. A po i bëjmë ne shqiptarët punët tona ashtu si duhen bërë? A po bëjmë punë të vlefshme? A po prodhojmë vlera? Vendet e ndryshëme dallohen nga njëri-tjetri nga cilësia e vlerave, si të trashëguara edhe të prodhuara në të tashmen. Sa më tepër vlera të ketë prodhuar një komunitet aq më tepër ka punuar dhe sakrifikuar në të kaluarën, aq më të shëndetshme e ka të tashmen dhe aq më të sigurt e ka të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera Presidenti Nishani në fjalën e tij në këtë aktivitet.Mbrëmja ishte organizuar në një atmosferë festive ndërsa të ftuar ishin disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare