Ylli Ndroqi: Sfidat dhe presionet për të qenë i paanshëm
Ndodh ta marrin në telefon dhe t’i thonë: po identifikohesh djathtas, e vetëm pas pak minutash i thonë; po identifikohesh majtas. Për presidentin e televizionit informativ “Ora News” ky është indikatori më i mirë i paanshmërisë së një televizioni informativ. Por rruga drejt suksesit nuk ka qenë pa kosto për Ylli Ndroqin.Çfarë ka qenë më e vështirë për ju; hapja apo konsolidimi në tregun mediatik i televizionit “Ora News”?Të dyja janë të rëndësishme. Fillimisht, televizioni “Ora News” u lançua si media e re në tregun mediatik. Në momentet e para ky televizion do të vazhdonte udhëtimin si një televizion informativ i ngjashëm me konkurrentët në treg. E filluam punën në një godinë të rrënuar jo më shumë se 150 metra katror. Kujtoj madje që studioja e parë e lajmeve kishte nga pas një plastmas, ku ishin hedhur disa ngjyra për të krijuar idenë se pas spikeres që jepte lajmet kishte skenografi. Në fakt ajo ishte për të ardhur keq. Për fat të mirë, në atë kohë kisha një drejtor të përgjithshëm, Alfred Pezën, i cili ishte njeriu që vendosi themelet në këtë televizion duke forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin mes departamenteve dhe njëkohësisht më dha mua garanci për të investuar në këtë media. Nga viti 2009 “Ora News” u shfaq si i pari televizion informativ në Shqipëri që transmetonte 24 orë live gjithçka ndodhte në territorin e Shqipërisë, duke patur si referencë BBC dhe CNN. Edhe pse këto televizione në fakt transmetonin live vetëm 8 orë në ditë, në ekranin e “Ora News” lançohej live 24 orë gjithçka ndodhte; konferencë shtypi, aktivitete social-kulturore etj., etj. Ky format i ri nxiti dhe media të tjera informative që ndoqën modelin tonë. Ia dola shumë mirë dhe jam krenar për këtë.Një nga çështjet që debatohet sot përsa i përket operatorëve televizivë është ndikimi i politikës. Ju, a i keni rezistuar dot presionit politik?Mund të them me bindje se i kam rezistuar presionit të politikës dhe jam krenar për këtë. “Ora News” e ka treguar këtë në gjithë këto vite; e ka treguar gjatë fushatave të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare që nuk ka mbajtur krahun e asnjë partie.Si ia keni dalë? Mund të na jepni formulën e antidotit ndaj politikës, se ndoshta i shërben ndonjë pronari mediash?Unë ia kam dalë duke i shërbyer interesit publik me korrektesë dhe duke qenë transparent që gjithçka të shfaqet pa censurë mbi ekran. Formula ime ndaj çdolloj presioni nga politika është se unë kurrë nuk kam shtrirë dorë në asnjë tender publik, nuk kam favorizuar përmes medias asnjë dikaster shtetëror, ministër apo deputet.Të gjithë pronarët e mediave, gazetave, web-ve cilëtdo qofshin ata, bien pre e kompromiseve me politikës për interesa financiare. Nëse një pronar mediash paguan me korrektesë detyrimet që ka ndaj shtetit, nuk ka absolutisht asnjë lloj pushteti që mund t’i bëjë presion.Ju vetë keni rënë pre e presioneve politike?Unë kam patur presione shumë herë, deri dhe kërcënime fizike gjatë fushatave zgjedhore. Për herë të fundit më ndodhi gjatë fushatës zgjedhore të 2013-ës.Cilat ishin arsyet?Sondazhi i IPR Marketing i financuar nga “Ora News”, rezultatet e të cilit publikoheshin gjatë këtyre zgjedhjeve. Exit Poll-i i shpallur në “Ora News” ishte shumë afër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Ora News kishte patur të drejtë. Zgjedhjet e 2013-ës ishin një ndër sfidat e këtij televizioni. Presionet ndaj meje filluan në prill të 2013-ës dhe vazhduan deri natën e fundit të 23 qershorit. Gjatë gjithë kësaj kohe unë kam patur presione non stop.Si vinte deri tek ju ky presion? A mund të na shpjegosh si funksionon mekanizmi?Presioni vinte nga të gjitha partitë politike, madje edhe nga partiçkat. Në fakt presioni më i madh nisi nga këto partiçkat që kërkonin të shfaqeshin në publik ata që nuk ishin, donin të shfaqeshin si parti që kishin elektorat dhe votues që mund t’u jepnin vend në parlament. Me slogan të madh dhe shumë publicitet ata kërkonin që edhe mediat të binin në batakun e tyre. Por unë kisha një kompani sondazhesh, nga e cila merrja referenca prej gati tri vitesh dhe nuk mund të bija në batakun e tyre. Megjithatë presioni ishte shumë i madh. Kam dhe mesazhe kërcënimi.Metodë shumë primitive kjo, mendoja se ishte më e kamufluar; me inspektorë tatimesh, kontrolle financiare etj?Po, po kam mesazhe kërcënuese nga kryetarë partish. Kërcënimi nis nga kryetarët e partive dhe zbret tek nënkryetarët, militantët dhe në fund përdoren ekstremistët që shfaqen te zyra, te dera e shtëpisë, të ndjekin pas me makinë dhe përpiqen të krijojnë incidente. Të gjitha këto i kam me fakte.Unë kam gjashtë kompani biznesi. E vetmja mënyrë që unë i kam mbijetuar tregut mediatik ka qenë pikërisht korrektesa me tatim-taksat e shtetit shqiptar. Kam patur dhe presione të tilla; në kompanitë e mia janë bërë kontrolle, kanë infiltruar njerëz që nga krimi ekonomik për pastrim parash deri në verifikim fizik të arkave të kompanisë duke thyer rregullat e kontrollit të hetimit tatimor.Këto janë kosto që kalon çdo pronar mediash… Ia vlen sipas jush gjithë kjo?Ia vlen derisa informacioni shkon i vërtetë tek publiku shqiptar. Unë i kam dhënë publikut të vërtetën, nuk e kam ngjyrosur as majtas, as djathtas. Tregu mediatik në gjithë botën ka probleme. Thonë se media është pushteti i katërt, por unë s’e kam përdorur kurrë si pushtet. Kur ngrita këtë televizion nuk mendoja se do të investoja kaq shumë në këtë projekt, por dashuria ime për televizionin erdhi si ajo e një fëmije që e rrit me duart e tua. Edhe ky televizion u rrit si një fëmijë; dikur ishim shumë të vegjël, sot jemi më të mëdhenj, më të pjekur, më profesionistë. Sinjali i “Ora News” është i shpërndarë në çdo cep të Shqipërisë. Falë platformës dixhitale shihemi në gjithë botën, falë teknologjisë jemi në çdo aparaturë dhe rrjete sociale.Sa ndikim keni ju si pronar në redaksitë e lajmeve?Këtë pyetje do doja t’ia bënit drejtuesve të departamenteve dhe gazetarëve, sepse përgjigjja ime nuk ka vlerë. Megjithatë unë po ju them se mund të jem i vetmi nga pronarët e mediave që nuk ndërhyj dhe as diskutoj as për njerëzit që ftohen në ekranin e “Ora News” e as për radhën e kokave të lajmeve. Për mua lajmi më i rëndësishëm është ai që ka interes publik. Ky është sugjerimi që u jap drejtuesve të departamenteve në “Ora News”.Jeni kritik ndaj TV tuaj?Po, kërkoj gjithmonë më të mirën. Arritjet janë, por dua më shumë. Media duhet të japë gjithmonë informacion që ka interes publik. Media është shumë e lodhshme.Të qenit i paanshëm e bën më të lodhshme sipas jush?Një media që është e njëanshme, për mua nuk ka asnjë vlerë. Të qenit i paanshëm e bën edhe më të vështirë drejtimin e një medie. Një media që nuk ka presione nga jashtë, ajo media nuk shpreh më interes për publikun. Unë nuk kam asgjë, as me pushtetin, as me opozitën, e as me subjektet private. Qëllimi im është që televizioni “Ora News” të jetë në qendër të vëmendjes tek publiku.Pse lakmohet kaq shumë media nga politika?Politika është gërvishtësi i medias. Vitet e fundit media po luan një rol të madh si rregullator në informimin e opinionit publik. Sidomos vitet e fundit kam vënë re një fenomen që më shqetëson mua si pronar i një medie informative; politika po dominon gjithnjë e më shumë hapësirat për publikun. Aq më tepër rritet ky shqetësim kur mosha e publikut që ndjek mediat informative vjen duke u ulur (këtë e kam nga një studim i fundit) dhe kjo mua nuk më pëlqen. Politika po zë hapësira që nuk i takojnë. Televizionet informative po i bëjnë politikës një promovim që nuk i vlen publikut. Nuk mundet që të gjitha televizionet informative që operojnë në Shqipëri t’i shërbejnë 24 orë politikës.Po kush është fajtori për këtë, a nuk jeni vetë ju pronarët e mediave?Po, fajtorët jemi ne. Jemi ne që po i japim mbidozë publikut duke i shërbyer me politikë. Kemi hyrë në këtë batak dhe nuk po dalim dot, ndaj unë u bëj thirrje të gjithë pronarëve të mediave që ne duhet të ndryshojmë qëndrim ndaj politikës dhe të kthehemi në televizione që i shërbejnë interesit të publikut.Çfarë alternativash ofroni ju për të dalë nga ky batak?Viti 2014 do të jetë ndryshe për ekranin e “Ora News”. Do të reduktojmë hapësirën për politikën, duke i lënë më shumë hapësirë çështjeve që kanë interes për shoqërinë. Unë i pari si gjithmonë do ta marr këtë risk me bindjen se mjaft më i kemi shërbyer politikës, duhet t’i shërbejmë qytetarit.Vlerësimi “Honoris Causa”Ylli Ndroqi, Presidenti i RTV “Ora News” dhe “Channel One”, është nderuar këto ditë me titullin akademik Doktor “Honoris Causa” në Menaxhim Biznesi dhe Media nga Universiteti Konstandin në Romë. Titulli biznesmenit të njohur shqiptar iu dorëzua në një ceremoni solemne të zhvilluar në Romë, ndërsa i ishte akorduar nga Senati Akademik i Universitetit. Ceremonia e rastit u drejtua nga doktor Siriano Silvestre, i cili tha se kandidatët për këtë vlerësim të rëndësishëm janë përzgjedhur nga Dhomat më të rëndësishme të Tregtisë./Në një intervistë për mapo.al/