Biznesi amerikan kundër Ramës: Paketa fiskale të mos aplikohet më 1 Janar
Biznesi amerikan kritikon sërish qeverinë Rama në lidhje me politikat e saj ekonomike. Mjaft e ashpër në reagimin e saj Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehet e zhgënjyer nga lajmi se një paketë fiskale është duke u publikuar, ndërkohë që ka pak informacion zyrtar nga qeveria, duke mos lejuar Dhomën Amerikane dhe partnerët e tjerë të sektorit privat që të japin një opinion zyrtar mbi këtë paketë."Ndihet një shqetësim në rritje nga anëtarët e Dhomës prej mungesës së informacionit ose ekzistencës së informacionit konfliktual dhe impaktin që kjo paketë fiskale mund të ketë për bizneset shqiptare dhe vendimet e tyre të ardhshme për investim. Ky shqetësim shtohet me afrimin e fundit të vitit dhe mbylljen e vitit fiskal" thuhet në deklaraten e Dhomës Amerikane të Tregtisë.Dhoma amerikane e Tregtisë i ka kujtuar qeverisë Rama premtimin për dialog me biznesin ndaj i kërkon transparencë më të madhe në diskutimet mbi paketën fiskale, për të sqaruar dhe për të siguruar komunitetin e biznesit dhe investitorët e huaj.Biznesi Amerikan shpreh mendimin se politika e re fiskale duhet të nxisë investimet e huaja direkte dhe investimet lokale. Ndryshimi i menjëhershëm i sistemit fiskal, në mungesë të një debati publik efikas, mund të çojë në rritjen e evazionit fiskal.“Shqipëria duhet të tregojë se është një vend ku të gjithë paguajnë taksa sipas ligjeve në fuqi- nënvizohet në deklaraten e Dhomës Amerikane të Tregtisë, duke shtuar se për këtë arsye, qeveria shqiptare nuk duhet të aplikojë paketën fiskale në datë 1 janar 2014, por duhet të lejojë më shumë kohë për konsultimin dhe zbatimin e saj.