Europa pret “fajtorë” për korrupsionin, jo “të dënuar”

Po qarkullon një tezë këto ditë sipas së cilës, fushata antikorrupsion e qeverisë është e motivuar prej thirrjeve të Europës për të pasur të dënuar për këtë krim. Autorët e saj, antieuropianë sa dhe vetë teza, spekulojnë me një deklaratë të një eurodeputeti, sipas të cilit “duhet që të dënohen ministra dhe kryeministra”. Dashamirësia e mesazhit nuk duhet ngatërruar me jokorrektesën e tij si koncept dhe aq më pak duhet të na habisë fakti sesi një europarlamentar mund të nxjerrë nga goja marrëzi të tilla. Në Bruksel gjen injorantë sa të duash, përfshirë edhe mes atyre që e duan sinqerisht Shqipërinë. Por thelbi i çështjes është ky: mesazhi nuk ka asgjë europiane brenda tij. Qoftë si mendim, qoftë si kulturë e qoftë si etikë.Europa nuk i ndërton thirrjet apo pritshmëritë për luftën kundër korrupsionit të një vendi kandidat duke shkelur parimet mbi të cilat është themeluar. Është e vërtetë që Europa pret rezultate të prekshme në këtë betejë të madhe ligjshmërie; është e vërtetë që rezultat i prekshëm do të thotë jo pallavra politike, por bilance ligjore. Por, në asnjë rast Europa nuk mund të jetë jakobine kur futet në lojë e drejta dhe drejtësia. Sepse Europa është mbi të gjitha, garantiste. Sepse Europa është djepi i digjesit të lavdishëm justinian in dubio, pro reo që do të interpretohej, më mirë një delinkuent jashtë, sesa një i pafajshëm brenda. Nuk është në filozofinë e saj që, bilancet kundër një fenomeni ilegal siç është korrupsioni, të maten me numrin e të dënuarve. Europa është shumë e mençur për ta pervertuar ligjshmërinë në një çështje numrash. Jo! Europa pret fajtorë të dënuar për korrupsion dhe jo të dënuar për të justifikuar fushatën kundër korrupsionit.Mirëpo, logjika ta do që spekulimi me Europën, i tejkalon caqet e një mesazhi antieuropian si ai i mësipërmi. Ata që po e afishojnë rëndom e ku të munden, me sa duket nuk e kanë si shqetësim të sinqertë europian dhe aq më pak si shqetësim kundër korrupsionit. Ata e kanë si shqetësim të sinqertë antiopozitar. Korrupsioni është thjesht dhe vetëm instrumenti par excellencepër të justifikuar antiopozitarizmin e tyre. Duke u fshehur pas thirrjeve të sinqerta të Europës për të reaguar fort kundër fenomenit, ata kërkojnë të lajnë hesapet me opozitën. Është shumë e thjeshtë për të kuptuar se, mazhoranca ka vendosur t’i përzgjedhë fajtorët dhe jo t’i kërkojë ata. Ajo po kërkon të dënuarit. Është e pamundur që të arsyetosh ndryshe kur shikon procedurën që ka ndjekur me ish-ministrin Imami. Ose të paktën, do të ishte shumë më e vështirë të dyshoje në praktikën e hartimit të dosjes së tij, nëse ajo si praktikë do të aplikohej nga ministrat socialistë që sot mbulojnë dikasteret të cilat, vetëm pak muaj më parë, i mbante aleatja e sotshme, Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministritë që LSI mbulonte deri dje kanë qenë më të akuzuarat për korrupsion nga Partia Socialiste. Janë qindra faqe akuza, dyshime, fakte, denoncime që pothuajse periodikisht ushqenin shoqërinë me skandalet në ministritë e LSI-së. Por, për “ekspertë” që të hartojnë dosjet e aleates së sotshme të Partisë Socialiste nuk është dëgjuar të flitet dhe as besohet se do të flitet ndonjëherë. Nuk ta do mendja që thirrja antieuropiane “të dënohen ministra” ka pasur parasysh të gjithë ministrat, përveç atyre të LSI-së. Aq më pak ka pasur parasysh faktin që “ekspertë” mund të gjendeshin vetëm për dosjet e kundërshtarit politik. Jo se Arben Imami nuk mund të jetë fajtor për shkak se dosjen ia kanë përgatitur “ekspertët”, por sepse ai ka së paku të drejtë që të trajtohet në mënyrë të barabartë “ekspertize” me të gjithë ish-ministrat. Kjo po që është europiane: të gjithë të barabartë para ligjit. Për ta aktualizuar: të gjithë ish-ministrat të barabartë para “ekspertëve”. Pavarësisht se disa syresh fati i deshi që të ishin në pushtet edhe me Imamin, edhe me Kodhelin.Zoti Rama nuk e fshehu që zotin Imami e do të dënuar. E tha qartë në Twitter: të dënohet. Subkonshi i la gjurmë në eter. Pra, nuk i intereson nëse Imami është ose jo fajtor. A e ka politike dhe personale, siç thotë Imami, a e ka ligjore dhe apolitike siç thotë vetë, nuk dihet. E sigurt është ndërkaq që, nuk e ka aspak europiane./Burimi mapo.al/