Shpërdorim detyre, kallëzim penal për ish-Administratorin e Albpetrol

Administrata e Albpetrol sh.a ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier një kallëzim penal për ish-administratorin e shoqërisë, Ferdinand Murati.Sipas padisë, Murati ka konsumuar në bashkëpunim veprat penale të parashikuara nga Nenet 25, 135 (Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën), 164 (Veprat Penale të kryera në Shoqëritë Tregtare/ Shpërdorimi i Kompetencave), 248 (Shpërdorim Detyre) dhe 300 (Moskallëzim Krimi) të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.Kallëzimi për ish-administratorin e shoqërisë Albpetrol sh.a, zotin Ferdinand Murati është kryer në përfundim të kontrollit të zhvilluar muajin e kaluar nga Drejtoria e Auditit të Brendshëm e Ministrisa e Industrisë dhe Energjetikës. Rezultatet e kontrollit kanë evidentuar shkelje të shumta, të cilat ngarkojnë zotin Murati me përgjegjësi për veprat penale të sipërcituara.Më konkretisht:1. Gjatë kontrollit janë evidentuar mungesa në sasinë e naftës bruto prej 2.965 ton me vlere 1.221.580 USD. Diferenca e mësipërme përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik. Për më tepër zoti Murati nuk u është përmbajtur rekomandimeve të lëna nga KLSH për situatën e sipërpërmendur.2. Kontrolli ka konstatuar abuzime në zbatimin e kontratave të shitjes se naftës bruto pasi:A) Është lejuar shitja e mallit në favor të një shoqërie që nuk ka qenë subjekt furnizimi sipas kontratës dhe tenderit të organizuar nga METE. Kësaj shoqërie, në kundërshtim me kontratën, i është lëvruar malli pa kryer pagesën e nevojshme në një kohë kur kontrata kërkonte që malli të parapaguhej ose të garantohej pagesa e tij nga Sistemi Bankar. Si pasojë e këtyre veprimeve shoqëria në fjale nuk ka kryer ende pagesat për mallin e lëvruar me vlerë prej 9,2 milionë dollarësh amerikanë, ndërkohë që si pasojë e këtyre veprimeve të ish- Administratorit Murati, është bërë e pamundur për Albpetrol arkëtimi i kësaj shume.B) Nëpërmjet ndryshimit të kushteve të lëvrimit të mallit i është shkaktuar shoqërisë Albpetrol sh.a një dëm financiar prej 409,780.66 $ si pasoje e mosfaturimit të vlerës së transportit për kontratën në fjalë.3. Ish-Administratori i shoqërisë Albetrol sh.a ka rritur në mënyrë të paargumentuar dhe pa ndjekur procedurat përkatëse numrin e punonjësve të shoqërisë duke shkaktuar një dëm financiar prej rreth 9.050.000 lekëve. Punësimet e reja janë kryer në një kohë kur ligji detyronte shoqërinë Albpetrol sh.a të ulte numrin e punonjësve si pasojë e ristrukturimit. Veprimet ngarkojnë me përgjegjësi ish Administratorin e Shoqërisë Ferdinand Murati, pasi për emërimet e reja nuk i është referuar programit dhe nuk ka marrë miratimet përkatëse nga Ministria apo Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë.Në përfundim të kontrollit, Albpetrol sh.a arriti në përfundimin se në veprimet e ish-administratorit Ferdinand Murati janë konsumuar elemente të disa veprave penale nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve, me dashje, veprime të cilat kanë sjellë dëm konkret në interesat dhe pasurinë e shoqërisë Albpetrol sh.a. Këto veprime rrjedhimisht kanë sjellë dëm konkret edhe në interesat e pasurisë shtetërore.Shoqëria Albpetrol sh.a do të vazhdoje te kryejë edhe verifikimin e veprimeve dhe procedurave te tjera të kryera nga administrata paraardhëse për të zbuluar të gjitha shkeljet e kryera.