Bashkia ndihma të përmbyturve, 500 pako për familjet në periferi të Tiranës

Në prag të festave te fundvitit, Bashkia i është gjendur pranë familjeve të përmbytura në periferi të kryeqytetit 2 muaj më parë. Zv.kryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, ka shpërndarë rreth 500 pako me ndihma për banorët në këtë zone, ndërkohë që i ka bërë apel qeverisë që të kujtohet për gjendjen në të cilën ndodhen këto familje.“Jemi sot këtu, për të shpërndarë pako me ndihma për familjet, për 500 të tilla, të prekura nga përmbytjet e dy muajve më parë, në shenjë solidariteti njerëzor, solidaritet njerëzor për ato familje të cilat praktikisht ngelën pothuajse pa asgjë, nga përmbytjet e shkaktuara.Bashkia e Tiranës ka qenë e pranishme në këtë zonë vazhdimisht. Dua t’ju kujtoj që tashmë ne kemi bërë të gjithë rikuperimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza. Përfundimi i rrugëve me shtrimin me çakull është pothuajse në ditët e fundit dhe po na ndihmon shumë edhe koha e mirë. Dua të falënderoj këtu edhe kryetarin e minibashkisë për mbështetjen që na ka dhënë dhe për të gjitha strukturat e minibashkisë që na janë gjendur në këto ditë të vështira. Gjej rastin t’i bëj një apel edhe qeverisë, kryeministrit Edi Rama, ministrave përgjegjës, që t’i kthejnë sytë nga banorët dhe familjet e kësaj zone. Kanë kaluar tashmë dy muaj dhe asnjë zyrtar i lartë, kryeministri jo e jo por edhe deputetët përkatës të Partisë Socialiste apo të mazhorancës nuk kanë denjuar të bëjnë një vizitë këtyre njerëzve”- deklaroi Bozdo.Ndërkohë, Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me angazhimin e saj për këtë minibashki, për të përmirësuar jetën e banorëve, duke i ofruar të gjithë logjistikën që ka në dispozicion.“Ne kemi parashikuar edhe në projekt-buxhetin e vitit 2014 rikuperimin e disa blloqeve apo kuartallave, investime në çerdhe dhe në kopshte, për të rritur cilësinë e jetës edhe në këtë zonë e cila praktikisht e shikoni është përballur me vështirësitë e shumta por edhe me vështirësitë e përmbytjes” -tha Bozdo.