PD: Ngjarja skenar teatral, Rama kërkon të heqë vëmendjen nga taksat

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me ngjarjen e paradites së sotme te godina e Kryeministrisë. Deputeti i PD, Keltis Kruja, teksa analizoi të dhënat e ngjarjes, e cilësoi atë një inskenim teatral.“Sot në mëngjes qytetarët panë ndërtesën e kryeministrisë të rrethuar me shirit: “Ndal zonë krimi”.Kjo ngjarje vjen 4 ditë pasi Sajmir Tahiri njoftoi se është superblinduar për arsye që vetëm ai i di.Pas 3 orësh hetimi para kamerave rezultoi se vetura që tronditi Kryeministrin, ishte e Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ku sipas policisë, eksplozivin e zbuloi garda. Burimet tona sigurojnë se z. Dervishi është ftuar nga garda për të futur makinën aty ku nuk duhej dhe ka deklaruar vetë se ka parë diçka të dyshimtë.Të gjitha të dhënat tregojnë se kemi të bëjmë me një inskenim teatral” tha ai.Për Krujën, akti i sotëm tregoi se Rama tenton të justifikojë shtimin e blindit dhe shumëfishimin e rojeve, me shashka.“Besniku i Edi Ramës do të ishte i vetmi që do të merrte përsipër një skenar që të kujton shakanë me plumbat e gomës që krisën xhamat e shtëpisë së z. Rama tek 21 dhjetori, akt me të cilin kërkon të blindohet si Lejfeni i tij.Për të bërë shoë, z.Rama heq gardhin e kryeministrisë, dhe që në ditët e para të detyrës i hipën makinës së blinduar, makinë e cila është blerë për miqtë dhe delegacionet e larta që vizitojnë Shqipërinë.Akti i sotëm tregoi se me shashka tenton të justifikojë shtimin e blindit dhe shumëfishimin e rojeve, por siç tashmë thonë qytetarët, Rama ka lindur në oturak dhe kot e ka se nuk bie rrufeja mbi të.Ngjarja e sotme nuk është vetëm shumë zhurmë për asgjë, por edhe një tymnajë e radhës për të larguar vëmendjen e publikut nga projekti i Kryeministrit për rritur taksat e për të ushtruar trysni ndaj biznesit” deklaroi Kruja.Partia Demokratike i bëri thirrje Prokurorisë ta zbërthejë dhe ta zbardhë këtë skenar të denjë për filma policesk.