Basha: Bashkia do të mbështesë organizimin e përvitshëm të gjimnastikës aerobike

Mbi 3000 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit po garojnë për kupën “Rinia”, në gjimnastikë aerobike.Në nisje të këtij aktiviteti ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku, Lulzim Basha, i cili është dhe një nga mbështetësit kryesorë të saj.Në fjalën e përshëndetjes, Basha ka garantuar të rinjtë e kryeqytetit se Bashkia e Tiranës do ta mbështesë gjimnastradën, që të organizohet në mënyrë të përvitshme në kryeqytet.“Unë ju jap fjalën që Bashkia juaj do të mundësojë që gjimnastrada të kthehet në mënyrë të përvitshme sepse është mirë për ju, për fizikun tuaj, për kënaqësinë që i falni prindërve tuaj. Ju rrezatoni kaq shume kënaqësi anembanë qytetit, në këtë sezon festash, dhe i jepni kaq shumë bukuri dhe hijeshi me vallet, këngët, me ushtrimet tuaja. Ju lumtë!Ju jeni brezi i ri i Shqipërisë, me të cilin çdo shqiptar krenohet dhe do të krenohet edhe më shumë, sa më shumë vitet përparojnë. Ju jeni fytyra më e bukur dhe më e dlirë e Shqipërisë europiane. Jeni europianë të merituar! Ju uroj suksese dhe ju garantoj se ne do të vazhdojmë ta bëjmë sportin, dansin, pjesëmarrjen sportive, një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë suaj. Kompjuteri dhe librat janë të rëndësishëm por mos harroni! Aktiviteti sportiv është akoma më i rëndësishëm në moshën tuaj, ndaj ditën e nesërme, Bashkia e Tiranës ka organizuar dansin sportiv, më datë 22 kemi organizuar aktivitetin “Jeto me sportin”, do të rifillojmë kampionatet dhe për çdo fitues, Bashkia do të ketë shpërblime, çmime të veçanta, do të ketë udhëtime.Ne jemi krenarë me ju, bravo ju qoftë! Faleminderit dhe gëzuar festat! – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.