Nishani: Lirimi i Haradinaj, i një rëndësie shumëdimensionale

Presidenti Nishani përshëndet vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin nga akuzat të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.Në deklaratën e bërë publike për mediat nga zyra për shtyp e Presidencës, Nishani thekson se vendimi i Gjykatës së Hagës për të çliruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn është një fitore e rëndësishme e drejtësisë dhe shprehje e shkëlqyer e paanësisë së kësaj Gjykate.“Ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rolin dhe imazhin e saj në betejat për të mbrojtur qenien shqiptare nga një makineri shfarosëse dhe për të fituar lirinë. Përpjekjet e pandërprera për të krijuar konfuzion në lidhje me autorësinë e krimit dhe të viktimës për qëllime politike duhet të ketë marrë një mësim” shprehet Presidenti Nishani.Presidenti i Republikës thekson më tej se ne popujt e rajonit duhet të shikojmë nga e ardhmja jonë e përbashkët duke lënë pas të shkuarën, por pa e harruar atë.“Harresa dhe, aq më keq shtrembërimi i të shkuarës mund ta cënojnë të ardhmen tonë, sepse nuk na garantojnë se tragjeditë e së shkuarës nuk do të përsëriten. Drejtësia e paanshme është garancia më e mirë për të ndërtuar themelet e forta të ardhmërisë sonë” përfundon Nishani.