Berisha: Miqtë shkëlqejnë gjithmonë me mungesën e tyre

Kryeministri Berisha ka reaguar sot në lidhje me refuzimin e  pjesëmarrjes në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë të ministrit të jashtëm grek Dimitris Avramopulos.I pyetur nga mediat në lidhje edhe këtë çështje, Berisha u përgjigj shkurt: "Francezët kanë një përgjigje: Miqtë shkëlqejnë gjithnjë, me mungesën e tyre".Gjithashtu kryeministri ka sqaruar edhe deklaratat e djeshme të tij për bashkimin kombëtar duje theksuar se  motoja e shqiptarëve është “Të bashkohemi me njëri tjetrin, të bashkohemi me Europën”“Unë mendoj që kjo moto është e drejtë dhe në të cilën çdo shqiptar duhet të përulet.  Ne duhet të punojmë në projektin europian por duhet të punojmë edhe për të kapërcyer qindra dhe qindra ndarje dhe pengesa që janë vendosur një shekull për shqiptarët. Konsolidimi dhe njohja e pavarësisë së Kosovës, i rolit të saj rajonal dhe ndërkombëtar mbetet interesi kombëtar i shqiptarëve” tha Berisha.Kryeministri Berisha është pyetur edhe nëse ndan të njëjtin mendim me Presidentin Nishani mbi Datën e Çlirimit të Shqipërisë ndërsa tha  “E vërteta është se me ligj ashtu është. Por unë kam një axhendë ndryshe nga Presidenti që është kryetar shteti. Kryeministri është njëkohësisht kryetar i një partie dhe ka një program të asaj partie, së cilës i përmbahet”.Gjithashtu kryeministri përshëndeti edhe vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. "Ky ishte lajmi më i gëzueshëm që më erdhi mua e të gjithë shqiptarëve në këtë ditë. Pafajësia e Ramush Haradinaj, ish kryeministër i Kosovës e komandant legjendar i njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbrojtën me qindra e qindra civilë nga barbaritë, është triumf i drejtësisë ndërkombëtare e i ligjit ndërkombëtar. Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim tek drejtësia dhe tek pafajësia e zotit Haradinaj. Shfrytëzoj rastin ta ftoj në Shqipëri, të festojmë sëbashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh. Dje pata fatin e rastin t’i përcjell urimet më të përzemërta gjeneralit Gotovina, hero kombëtar i popullit mik kroat, vendimin për pafajësinë e të cilit e kam vlerësuar pa masë. Përpjekjet për të simetrizuar gjërat josimetrike kanë marrë përgjigjen e merituar nga Gjykata Ndërkombëtare" tha Berisha.