Rinisin reshjet, përmbytet Lezha

Ka mjaftuar vetëm pak orë shi, që rrugët dhe lagjet e shumta në qytetin e Lezhës të zaptohen nga uji. Situata është rënduar më tepër kësaj radhe, pasi në bulevardin Gjergj Fishta kanë shpërthyer edhe ujërat e zeza, të cilat kanë dalë në sipërfaqe duke u shpërndarë për shkak të rrjedhjes që është krijuar nga rreshjet e shiut. Kjo nuk është një situatë e panjohur për qytetarët lezhjanë, të cilët sapo nisin shirat përgatiten për bllokimin e rrugëve apo dhe lagjeve të tyre nga sipërfaqet ujore.Gjeografia e kësaj situate është e njëjta në Lezhë, ku me të prekurat janë lagjet Besëlidhja, blloku 11.2 hektarë, blloku i pallateve 11 janari dhe akset kryesore të rrugëve, duke mos përjashtuar ambjentet e jashtme të shkollave që fatmirësisht sot kanë qenë pushim.Ndërmarrja e shërbimeve pranë bashkisë Lezhë gjendet gjithnjë e papërgatitur për të ndërhyrë në kohë me zhbllokimin e kanaleve kulluese, ndonëse parashikimet për një mot me shi kanë qenë mëse të njohura.Zgjidhja përfundimtare e këtyre situatave shihet vetëm ndërhyrja e plotë për kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, një investim që kap vlerën e 13 milion eurove, grant ky i qeverisë zviceriane dhe bankës gjermane KFV, për të cilin është nënshkruar edhe marrëveshja, por nuk ka asnjë datë për fillimin e punimeve.