Meta: 28 dhe 29 Nëntori, bashkë si dy kokat e shqiponjës

Ashtu siç do vit më datën 29 Nëntor, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar homazhe  në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e Ditës së Çlirimit.Kreu i LSI-së Ilir Meta së bashku me dy ministat e kabinetit Edmond Panariti dhe Edmond Haxhinasto kanë vendosur kurora me lule dhe janë përulur me nderim në monumentin “Nënë Shqipëri”.Në një prononcim për mediat, kreu i LSI-së Meta theksoi se 28 dhe 29 Nëntori qëndrojnë bashkë si kokat e shqiponjës në flamur."Ky është 29 Nëntori, vjetori i parë pas festime të 100-vjetorit të pavarësisë.  28 dhe 29 Nëntori do të qëndrojnë përjetësisht në histori ashtu siç qëndrojnë kokat e shqiponjës në flamur.  Janë dy data të lidhura me njëra tjetrën pasi në 29 Nëntor partizanët çliruan vendin me gjakun e tyre dhe rikthyen vendit pavarësinë dhe i dhanë atij lirinë” tha Meta.Gjithashtu kreu i LSI-së vlerësoi kontributin e Partisë Komuniste për pavarësinë e vendit.“Nuk është detyra e politikanëve të bëjnë historinë. Koha e bën historinë por kur flasim për luftën Nacional Çlirimtare do të ishte një kompleks të mos përmendin rolin e Partisë Komunistë pasi 90 përqind e atyre që prehen këtu kanë qënë anëtarë të kësaj partie” shtoi Meta.Pjesë e nderimeve me rastin e 68 vjetorit  të clirimit ka qenë edhe Aleanca Kuq e Zi. Kryetari, Kreshnik Spahiu,  vlerësoi luftën e bërë për clirimin e vendit.29 nëntori është përcaktuar me ligj si festë zyrtare pasi më 29 nëntor të 1944 dëshmohet ikja e ushtarit  të fundit gjerman nga vendi ynë.