Haga liron Ramush Haradinaj, përshëndet politika shqiptare në Tiranë: Vendim i drejtë

Krerët e klasës politike shqiptare e kanë cilësuar një vendim historik atë të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte për lirimin nga të gjitha akuzat të Ramush Haradinajt. Kryeministri Sali Berisha, kreu i opozitës Edi Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta janë shprehur se drejtësia ndërkombëtare tashmë ka folur për drejtuesin e UÇK-së."Lirimi i Ramush Haradinajt ishte lajmi më i gëzuar që më erdhi mua dhe gjithë shqiptarëve këtë ditë. Pafajësia e Ramush Hardinajt, ish-komadant i UÇK dhe luftëtarit për liri, që ndihmoi shumë njerëz nga barbaritë, është triumf i drejtësisë ndërkombëtare.Nuk kam pasur kurrë dyshim tek drejtësia dhe pafajësia e z. Haradinaj. Shfrytëzoj rastin ta ftoj në Shqipëri të festojmë së bashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh. Përpjekjet për të simetrizuar gjëra jo simetrike kanë marrë përgjigjen e duhur nga gjykata ndërkombëtare", tha kreu i qeverisë shqiptare.“Lirimi i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj është një moment I jashtëzakonshëm. Qysh prej sot të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e UÇK-së dhe heroiken e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithmonë” u shpreh Rama.“Heroi i gjallë i UÇK-së Ramush Haradinaj, ka fituar për herë të dytë pavarësinë duke shënuar një arritje, sukses tjetër të përpjekjeve të popullit shqiptar, aq më tepër kur kjo ndodh një ditë pas 100-vjetorit të pavarësisë.”- deklaroi Meta.Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka liruar nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Ndërkaq Ish-kryeministri Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij pritet të kthehen në Kosovë brenda ditëve të ardhshme.