Rama letër Nishanit: Shkele protokollin, shkove pas kryetarit të partisë

Kryetari i PS Edi Rama nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Presidentit, Bujar Nishani, kritikon ashpër Kreun e Shtetit për shkeljen e protokollit gjatë ceremonive në ditën e 100 vjetorit të pavarësisë, shkelje që sipas tij dëshmojnë se ai nuk ka meritat, po as cilësitë e nevojshme për të qenë President i Republikës.Që në krye të letrës, kryesocialsiti Edi Rama sulmon Kreun e Shtetit duke e akuzuar se më 28 nëntor braktisi kryeqytetin e Flamurit për të rendur pas partisë së cilës e votoi për të qenë në këtë detyrë."Ju jeni përgjegjës për një zhvillim negativ të paprecedentë në historinë e institucionit që jeni ngarkuar të përfaqësoni pa i pasur, për fat të keq, jo vetëm meritat po as cilësitë e nevojshme. Në ditën e bekuar të 100 vjetorit të pavarësisë, Ju treguat se e vetmja atdhedashuri e mundur për Ju është partishmëria. Dhe jo një herë po dy".Kryetari i PS, Edi Rama kritikon shkeljen e parë të protokollit nga ana e Presidentit të Republikës, se duhet të ishte ai që të ofronte në Vlorë drekën zyrtare për 100 vjetorin e pavarësisë, ashtu sic kanë vepruar paraardhësit e tij."Por Ju e shpërfillët Protokollin e Shtetit dhe ikët nga Vlora pa e kryer detyrën Tuaj si President i Republikës, si për të treguar në fakt se vendi i kreut të shtetit në Shqipëri ka mbetur bosh".Rasti i dytë i abuzimit me detyrën për kryetarin e PS, Edi Rama, është darka në Tiranë në Pallatin e Brigadave. Kryesocialisti krtikon ashpër shkeljen e protokollit nga ana e Presidentit për t’ia lënë të parit fjalën kreut të i PPE-së Wilfried Martens, kur në fakt prtokolli e përcakton qartë se folësi i vetëm që duhet ti ishte adresuar të ftuarve, duhet të ishte Kreu i Shtetit.“Por Ju s'e bëtë as detyrën e mikpritësit dhe as atë të kreut të shtetit të të gjithë shqiptarëve. I latë të ftuarit t'Ju prisnin më shumë se një orë në këmbë, pa patur as kujdesin t'u paraqisnit paraprakisht përmes protokollit Tuaj një ndjesë të thjeshtë formale, me një arsye çfarëdo për vonesën. Pastaj e shkelët fare kur i'a latë foltoren ekskluzive të kreut të shtetit shqiptar një zotërie pa lidhje, ose më saktë një të huaji që ka lidhje vetëm me Partinë Demokratike. Ky shpërdorim i paprecedentë i foltores së kreut të shtetit për recitime të miqve të huaj të partisë Suaj, ishte si shpallje publike ceremoniale e dorëzimit të institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në duart e partisë në pushtet”.Këto shkelje, thotë Rama, dalin në krah të vendimit të PS për të mos i dhënë votat pro për zgjedhjen në këtë detyrë të Zotit.Nishani por edhe janë një këmbanë alarmi se Kreu i shtetit nuk mund të garantojë institucione të pavarura dhe as zgjedhje të lira.“Ju dje zoti Nishani na dhatë formalisht provën e drejtësisë së vendimit tonë, për të mos Ju votuar si President të Republikës për shkak se ishit dhe mbeteni tërësisht i papërshtatshëm për detyrën e lartë. Fakti që Ju s'jeni në gjendje të silleni si kryetar i këtij shteti as për qoka, flet vetë se ç'mund të presin nga Ju Shqipëria dhe shqiptarët në përmbushje të nevojës alarmante për shtet, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, për institucione të pavarura e për zgjedhje të lira e të ndershme”.