PDIU:Vendimi i Hagës për Haradinajn i vonuar por i drejtë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka përshëndetur sot vendimin e Gjykatës së Hagës për shpalljen të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe bashkëluftëtarëve të tij.Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja e cilëson si të vonuar por të drejtë vendimin për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës.“Vendimi është i vonuar, por një akt i drejtë që hedh poshtë goditjet që u tentuan t'i bëheshin nga akuza, jo vetëm  Haradinaj, por në tërësi luftës së drejtë të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës. Ramush Haradinaj, sikurse edhe Fatmir Limaj, Hashim Thaçi dhe figurat e tjera kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përbaltur qëllimisht dhe pa të drejtë përgjatë gjithë kësaj periudhe, si tentativë për të përbaltur UÇK-në dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës për çlirim” thekson PDIU-ja.Sipas kësaj force politike përgjigja nga drejtësia ndërkombëtare ka qenë e qartë: “lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës ka qenë e drejtë dhe si z. Limaj ashtu edhe z. Haradinaj janë shpallur të pafajshëm në proceset gjyqësore të stisura ndaj tyre”.