Portugalia fiton betejën e parë

Portugalia ka siguruar një avantazh shumë të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit pasi në Estadio Da Luz ka mposhtur Suedinë në ndeshjen e parë me rezultat 1-0. Luzitanët e nisën ndeshjen me formacionin më të mirë ku nga minuta e parë u aktivizua treshja e sulmit Nani, Ronaldo dhe Helder Postiga.Pjesa e parë u dominua lehtësisht nga Portugalia, që e kërkoi golin me anë të harkimeve në zonë dhe me anë të magjive të Ronaldos, por nuk mundi të gjente rrugën e rrjetës. Edhe miqtë nga ana tjetër ishin pranë golit disa here me Elmander dhe Kallstroll ,por nuk mundën të zhbllokonin sfidën.Edhe fraksionin e dytë të lojës në pjesën më të madhe Portugalia ishte dominuese. Pas 5 minutash Isakson detyrohet disa herë të bëjë mrekullinë, teksa Ronaldo është i pafat për të gjetur rrjetën.Me gjithe dominimin e vendasve goli do të vinte vetëm në minutën e 81-të, ku Kristiano Ronaldo, zhytet me kokë në zonën e miqve duke shënuar golin e parë. Ky gol shpërblehu më në fund përpjekjet e vazhdueshme të luzitanëve që vazhduan të kërkojnë një tjetër gol, por nuk mundën. Vlen të theksohet se Ronaldo pati rast të realizojë edhe golin e dytë personal të tij dhe të Portugalisë, kur në minutën e 85-të goditi shtyllën horizontale.Me këtë fitore Portugalia ka avantazh të lehtë para ndeshjes së kthimit që zhvillohet në Suedi të martën. Fituesi i sfidës së play offit kualifikohet në Kampionatin Botëror.