Reali në alarm, dëmtohet edhe Alonso

Real Madridi është në alarm. Pas dëmtimit të rëndë të mesfushorit Sami Khedira, një tjetër lajm i keq mbërrin nga Reali që duket se po përjeton ankth në periudhën e ndeshjeve kombëtare.Mesfushori tjetër shkatërrues, Xavi Alonso mori një goditje të rëndë në miqësoren kundër Guineas Ekuatoriale, duke lënë fushën e lojës me një kavilje të lënduar.Gjithçka ndodhi në minutën e 40-të të pjesës së parë kur Fidjeu kreu një ndërhyrje të ashpër ndaj lojtarit bask, i cili duhet t’u nënshtrohet analizave më të detajuara për të zbardhur shkallën e dëmtimit. Imazhet tregojnë qartë edhe shqetësimin e trajnerit Vincente del Bosque i cili nxitoi ta zëvendësonte menjëherë mesfushorin.Në vendin e Alonsos në fushën e lojës hyri Sergio Busquets dhe sipas informacioneve të para, lojtari ka pësuar një dëmtim serioz në kaviljen e majtë. Në përfundim të ndeshjes, vetë lojtari nuk pranoi të prononcohej për mediat, por siguroi se nuk ka vend për alarm.