Anceloti: Shkojmë në Torino për fitore
Sonte në mbrëmje Reali mund të sigurojë kualifikimin matematikisht për në fazën tjetër të Champions League dhe për ish-trajnerin e Juventusit, Karlo Anceloti, e di shumë mirë se çfarë do të thotë të përballesh ndaj kësaj skuadre. Në prag të sfidës ku bardhezinjtë luajnë një pjesë të mirë të sezonit, tekniku italian paralajmëron skuadrën e tij."Do të jetë një ndeshje e bukur. Përballë do të vihen sërish dy skuadra të mira. Juventusi ka nevojë për një fitore por nga ana tjetër edhe ne dëshirojmë tre pikët për të firmosur kualifikimin sa më shpejt. Antonio Conte po bën një punë fantastike me Juven, prandaj do ta kemi shumë të vështirë".Carlo Ancelotti i ka vlerësuar lartë statistikat e golave të shënuar të ekipit të tij."Në 15 ndeshje kemi shënuar 42 gola, përkatësisht 3 gola për ndeshje. Ajo që po e bëjnë sulmuesit është e jashtëzakonshme. Nuk mund të kërkoni më shumë. Kemi lojtarë mjaft të mirë, por Ronaldo është në një kategori tjetër"Mbretërit janë të mahnitshëm në fazën ofensive, mirëpo ata kanë difekte të mëdha në mbrojtje duke pësuar 16 gola vetëm në La Liga deri më tani, dy herë më shumë se Atletico Madridi dhe Barcelona. Prandaj, strategu italian shpreson në përmirësimin e skuadrës së atij në fazën defensive."Kemi pësuar shumë gola dhe ky është problemi ynë. Të gjithë e dinë se sa e rëndësishme është puna në fazën mbrojtëse".Rotacioni në radhët e Realit të Madridit pritet të përfshijë disa element kryesorë në skuadër për të evituar lodhjen fizike të ekipit ."Rotacioni të lejon që të aktivizosh lojtarë të freskët, një element i rëndësishëm ky për të pasur ekuilibër në fushën e lojës. Ky është një detaj me të cilin kemi punuar sepse edhe nëse kemi pësuar ndonjë gol më shumë, kemi arritur gjithashtu edhe të shënojmë shumë".Në vijim, Ancelotti bën një krahasim mes Xabi Alonsos dhe Pirlos por nuk harron të thotë dy fjalë edhe për ndeshjen që pret nga kundërshtarët."Xavi Alonso dhe Pirlo janë dy lojtarë të mëdhenj. Ata kanë aftësinë për ta kuptuar dhe interpretuar një ndeshje. Është një fat për të dyja skuadrat që kanë në dispozicion lojtarë të tillë. Skema e Contes? Nuk e di nëse në këtë përballje do të luajnë ndryshe por jam i sigurt që do të ushtrojnë shumë presion".