Ronaldo thyen rekordin e Messit

Me golin e shënuar ndaj Juventusit, Cristiano Ronaldo e ka thyer rekordin e golave të shënuar në Ligën e Kampionëve brenda një viti kalendarik. Portugezi, i cili po kalon një formë të jashtëzakonshme këtë edicion, në minutën e 52-të e barazoi rezultatin në Torino, pasi bardhezinjtë udhëhiqnin nga pjesa e parë.Ky ishte goli i tetë i 28-vjeçarit brenda katër ndeshjesh në Grupin B dhe i 14-ti brenda vitit 2013 dhe në këtë mënyrë thyen rekordin paraprak prej 13 golash që e kishte vënë Lionel Messi në vitin 2012.Për CR7, ky ishte goli i 59-të në garën më të madhe evropiane për klube dhe tani i duhet edhe vetëm një gol për të lënë prapa Ruud Van Nistelrooyn, pastaj ai do të ndjekë vetëm Messin (63 gola) dhe Raulin (71 gola) për të marrë kryesimin si golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve. Padyshim se argjentinasi nuk do t'ia bëjë të lehtë këtë punë. Me gjithë fërshëllimat e shumta në “Juventus Stadium”, Ronaldo sërish tregoi diçka nga magjitë e tij, tashmë ngelet të shohim se deri ku do të shkojë portugezi, pasi ka edhe dy ndeshje të tjera për këtë vit dhe një thellim i rekordit nuk do të ishte aspak çudi për asnjë.