Eurodeputeti kroat: Frymë pozitive në PE për rekomandimin e statusit për Shqipërinë

Eurodeputeti kroat, Nikola Vuljaniç vizitoi sot në cilësinë e Raporterit të ri për Shqipërinë, Ministrinë e Integrimit Europian ku u prit nga dy Zv. Ministrat, Majlind Lazimi dhe Gentian Elezi.Dy Zv. Ministrat i përcollën urimet z. Vuljaniç për detyrën e tij të re në pozicionin e Raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, si edhe shprehen falënderimet për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian.Ata pohuan se data 16 Tetor ishte një ditë e mire për Shqipërinë dhe siguruan Eurodeputetin se qeveria Shqiptare është duke ndërmarrë hapa konkretë për ta çuar më tutje procesin e integrimit në BE. Dy Zv. Ministrat shtuan se axhenda e integrimit Europian është një axhendë kombëtare dhe se klasa politike Shqiptare duhet ta gjejë gjuhën e kompromisit për të ecur përpara.Eurodeputeti Vuljaniç u shpreh optimist për atmosferën e përgjithshme në Parlamentin Evropian në lidhje me progres -raportin e Komisionit dhe rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ai theksoi se pritet që diskutimet mbi projekt-rezolutën të jenë gjithashtu pozitive."Ky është një moment favorizues për Shqipërinë që duhet ta shfrytëzoje pozitivisht duke arritur kompromisin e gjerë nga të gjithë aktorët në këtë proces dhe duke mundësuar kështu dëshirën e 87% te Shqiptareve për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha VuljaniçZ. Vuljaniç , pohoi se Shqipëria ka mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe të Komisionit, në rrugën drejt Integrimit Europian. Duke shpresuar që Shqipëria të ketë edhe mbështetjen e Këshillit në dhjetor, Eurodeputeti shprehu gatishmërinë për të ofruar ndihmën e tij për Shqipërinë në këtë proces.