E mërkura ka qenë një ditë e ngjeshur për diplomatin e BE në Tiranë, Ettore Sequi, por kësaj herë në rolin e lajmëtarit të mirë. Pasi u dorëzoi liderëve të shtetit progres/raportin e KE-së për Shqipërinë, Sequi shtjelloi në një konferencë për shtyp konkluzionet kryesore të këtij raporti, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugëtimin drejt BE-së. Ambasadori mbetet besimploatë se Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të ecur përpara, tesksa nuk hezitoi të apelojë palët politike që të bashkëpunojnë për konsolidimin e arritjeve.“Komisioni rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Në dhjetor Këshilli Evropian do të vendosë nëse do ta pranojë këtë rekomandim. Është r nevojshme që të vazhdohet që nga ky moment e deri në dhjetor që të konsolidohen arritjet, në veçanti në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Progresi, statusi i vendit kandidat dhe më pas çelja e negociatave për anëtarësim kërkojmë bashkëpunim mes palëve. Deri tani progresi i Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së nuk do të kishte qenë i mundur dhe nuk do të jetë i mundur pa bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës dhe përfshirjen e publikut. Gjithëpërfshirja të vazhdojë të jetë një element i përhershëm i politikës shqiptare. Duke bërë këtë do të jetë mundur që të ruhet dhe të intensifikohet dhe kjo që është arritur deri tani.Ne besojmë që kjo është e rëndësishme, sepse në fund të fundit do të sjellë përmirësime në jetën e shqiptarëve. Ne vërtet besojmë që Shqipëria e ka të gjithë potencialin e duhur që të ecë përpara në rrugën drejt BE-së. Celësi për të hapur këtë potencial është që të përqëndrohemi tek axhenda e integrimit evropian, me një frymë gjithëpërfshirjeje dhe konsensusi”- deklaroi ambasadori Sequi.Ambasadori i Bashkimit Europian evidentoi disa nga çështjet dhe konkluzionet kryesore të raport/progresit të KE-së.“Përsa u përket kritereve politike Shqipëria ka patur ecuri, ka bërë progres të mëtejshëm për përmbushjen e këtyre kritereve për anëtarësimin në BE. Qeveria dhe opozita bashkëpunuan për të miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme në parlament. Përsa i përket lirisë së fjalës kuadri legjislativ u përmirësua me miratimin ligjit të medias vizuale. Në raport thuhet qartë që ka patur progres në trajtimin të burgosurve. Po ashtu thuhet që janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në reformën në gjyqësor, përmirësimin e luftës kundër korrupsionit, kundër narkotikëve dhe vënia në zbatim e rekomandimeve për të luftuar pastrimin e parave.”- deklaroi Sequi.Përtej euforisë nga rekomandimi i KE për marrjen e statusit, Sequi nënvizoi se arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë qenë, mbeten dhe do të jenë çështje thelbësore.“ Lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdohet të punohet në këtë drejtim. Duhet të vazhdohet puna në mënyrë që të zbatohet në mënyrë konsistente strategjia e pronësisë. Reforma në administratën publike duhet të vazhdohet me po kaq punë, po ashtu mjetet legjislative për të drejtat e njeriut, në veçanti me romët duhet të vihen në zbatim”tha ai.Ambasadori i BE u ndal edhe në shqetësimet e përcjellura në raport sa i takon çështjeve ekonomike, kryesisht tek niveli i lartë i defiçitit dhe borxhit.“Sipas konkluzioneve të raportit, ekonomia shqiptare vazhdoi të ruante stabilitetin makroekonomik. Por ekonomia vazhdon të mbetet delikate dhe e cënueshme ndaj dobësive në vend dhe paqëndrueshmëria ekonomike globale. PBB-ja ka vazhduar që të rritet, kryesisht në sajë të rritjes së eksporteve pozitive, papunësia mbetet e lartë. Megjithatë ka disa shqetësime porsa i përket nivelit të lartë të deficitit të buxhetit, borxhit dhe ato që ne i njohim si kredi të këqija”- theksoi ambasadori i BE-së.
Komisioni Europian vlerësoi sot ne raportin e progresit se Shqipëria ka përmbushur kushtet për dhënien e statusit kandidat, por për të bindur shtetet hezituese anëtare të cilat vendosin në dhjetor, vendi duhet të vazhdojë veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas Komisionit, në mënyrë që Shqipëria të hedhë hapin e radhës, çeljen e bisedimeve për anëtarësim, vendi duhet të përmbushë plotësisht katër kushtet e mbetura që nga opinioni i vitit 2010.
Për të ardhmen e Shqipërisë në BE, Komisioni e cilëson si thelbësor angazhimin pozitiv të Shqipërisë në rajon dhe si jetësor dialogun e qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat e integrimit europian.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. E duket se për t’ju përgjigjur këtij skepticizmi, Komisioni europian ka vendosur kushte të qarta për rekomandimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, sepse do të jetë po ky Këshill që do të duhet të vendosë për këtë kryesor në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tiranës.